Prishtina e Përjetimeve – “Pazaret” e Përparim Ramës me dy asambliste të PDK`së – Shkak vota për Planin Zhvillimor të Prishtinës 2024 – 2032

Prishtina e Përjetimeve – “Pazaret” e Përparim Ramës me dy asambliste të PDK`së – Shkak vota për Planin Zhvillimor të Prishtinës 2024 – 2032

Dy asambliste të Partisë Demokratike të Kosovës [emra të njohur për redaksinë] në Komunën e Prishtinës, dyshohet se kanë bërë “pazare” me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tutje, burime të Periskopit kanë bërë të ditur se është vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, ai i cili dyshohet se ka negociuar me dy asamblistet.

Por, cila qëndron arsyeja pas kësaj?

Sot, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, do të mbahet seanca lidhur me “Planin Zhvillimor Komunal 2024-2032”.

Për këtë, partisë që udhëheq me këtë Komunë i duhen vota për të kaluar këtë pikë, e cila është edhe më e rëndësishmja për zhvillimin e kryeqytetit.

Periskopi ka kontaktuar me shefin e asamblistëve të PDK-së, Leotrim Retkoceri, i cili nuk e ka mohuar një gjë të tillë. Megjithatë, i njëjti ka bërë të ditur se kjo do të mësohet shumë shpejt gjatë seancës së sotme.

“Herën e fundit, këto dy asambliste kanë votuar kundër qëndrimit të PDK-së në seancën e Kuvendit Komunal. Gjatë ditës, do të shihet nëse këto asambliste do të votojnë për “Planin Zhvillimor Komunal 2024-2032”, tha Retkoceri.

Ndër të tjera, ai për Periskopin deklaroi se gjatë seancës do ta thojnë qëndrimin e subjektit politik dhe do ta lëshojnë sallën.

“Po e përsëris, e gjitha kjo do të mësohet me qëndrimin apo jo të këtyre dy asamblisteve sot”, përfundoi shefi i GP- të PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri. /Periskopi/

Shpërndaje në: