Prishtina dhe Drita sonte luajnë në Evropë, rivalët nga Uellsi dhe Holanda pengesë

Prishtina dhe Drita do të kenë sonte nga një test të vështirë, në kuadër të kualifikueseve që janë të vlefshme për Europa Conference League.
Dy skuadrat nga Superliga e Kosovës kanë bërë mjaft mirë në ndeshjet e para ndaj kundërshtarëve respektivë (Connah dhe Feyenoord), por punën e mirë duhet ta kompletojnë sonte, shkruan Periskopi.
Prishtina udhëton drejt Uellsit me një qetësi më të madhe, falë edhe performancës së jashtëzakonshme në kryeqytet, ku edhe siguruoi një avantazh prej 4:1. Ruajtja e kësaj fitore do të jetë më e lehtë për kryeqytetasit.
Drita, në anën tjetër, me një kundërshtar tejet më serioz dhe më me përvojë, si Feyenoord, synon të vazhdojë befasinë e nisur në ‘Fadil Vokrri’, ku ‘Intelektualët’ merrnin barazim 0:0 ndaj gjigantëve holandezë.
Sigurisht, Drita do të ketë punë shumë të vështirë, përballë favoritëve absolut në letër, Feyenoord, shto këtu edhe faktin e mungesës së tifozëve, që në Prishtinë ishin shtysë e madhe.
Të dyja ndeshjet e skuadrave kosovare luhen me fillim nga ora 20:00. Kalimi i kësaj faze i shkon në favor gjithë futbollit kosovar, pasi mund të ketë ndikim në ndryshimin e koeficienteve. /Periskopi/