Prishtina dhe Drita i fitojnë duelet e para gjysmëfinale të Kupës
Prishtina dhe Drita i kanë fituar duelet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Kryeqytetasit e fituan duelin kryesor të kësaj faze ndaj Llapit, të cilin e mposhtën me rezultat 2:1.
Gledi Mici i kaloi prishtinasit në epërsi në pjesën e parë pasi realizoi nga penalltia. Më pas, llapjanët i barazuan shifrat pasi shënuan po ashtu nga penalltia, përmes Arbnor Ramadanit.
E fitoren vendësve ua siguroi Endrit Krasniqi, i cili shënoi në minutat e fundit të lojës. Vlen të përmendet se prishtinasit një pjesë të mirë të lojës e luajtën me një lojtar më pak, kurse llapjanët e qëlluan një herë tërthorësen.
Ndërkohë, gjilanasit e bënë një hap të madh drejt finales pasi e mundën pa problem Ramiz Sadikun me rezultat të pastër, 3:0. Madje, “Intelektualët” mbyllën gjithçka qysh në pjesën e parë, kur i shënuan të tre golat.
Albin Krasniqi, Hamdi Namani dhe Muharrem Jashari u përkujdën për golat e gjilanasve. E prishtinasit u treguan të pafuqishëm në këtë takim.
Ndeshjet e kthimit gjysmëfinale do të luhen më 13 prill.