‘Prishtina Brass’ turne koncertesh nëpër Kosovë
Prishtina Brass është ansambël tunxhi, i pari i tillë dhe i vetmi në Kosovë. Vlen të ceket fakti se të gjithë instrumentistët e ansamblit janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, përcjellë KultPlus.
Ashtu si vitet tjera, edhe këtë vit, ansambli “Prishtina Brass” do të realizoj turne koncertesh në disa qytete të Kosovës. Për dallim nga vitet tjera, këtë vit janë përzgjedhur qytete më të vogla si: Dardana, Vushtrria, Theranda etj.
Ansambli i tunxhit “Prishtina Brass”, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, fillon turneun e koncerteve nga qyteti i Dardanës më 5 korrik në ora 21:00 në sheshin “Metush Krasniqi”.
Prishtina Brass është ansambël tunxhi, i pari i tillë dhe i vetmi në Kosovë. Përbëhet nga instrumentistë profesionistë të cilët janë gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë.
Vlen të ceket fakti se të gjithë instrumentistët e ansamblit janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa ansambli si i tillë funksionon edhe në kuadër të FSK-së (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe është mjaft aktiv nëpër ceremoni të ndryshme ushtarake.
Ansambli “Prishtina Brass” njihet dhe si promotor i muzikës artistike në hapësirë publike, për faktin se ka realizuar një numër të konsiderueshëm të koncerteve në sheshet e shumicës së qyteteve në Kosovë. Ka një repertor mjaft të gjerë. Stili muzikor i “Prishtina Brass” është një kombinim i periudhave te ndryshme muzikore, por edhe veprat dhe këngët e ndryshme të ditëve të sotme.
Ansambli rëndësi të veçantë i kushton sidomos muzikës shqipe, duke mos përjashtuar edhe muzikën jazz. Ansambli që nga themelimi është mjaft aktiv si me koncerte, ashtu edhe me prezantime të ndryshme. Që nga viti 2012 kur ka filluar së funksionuari, ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh dhe prezantimesh të ndryshme në Kosovë dhe rajon. Ka realizuar për 4 vite radhazi turne koncertesh në shumicën e qyteteve të Kosovës si dhe në Tetovë, Tiranë, Bujanoc, Gostivar, Ulqin etj.
Është prezantuar në festivale të ndryshme të cilat janë bartëse të kultivimit dhe zhvillimit të muzikës serioze në Kosovë dhe Shqipëri si: “ReMusica”, “International Albanian Brass Festival”, “Netët e Prishtinës”, “Kosova Brass Fest”, Festivali HAPU etj.
Ansambli është kuintet standart, mirëpo varësisht nga programi që luan, bashkëpunon dhe me instrumentistë tjerë si të tunxhit, perkusioneve e gjithashtu dhe solokëngëtarë.