Prindi 1 dhe Prindi 2: Shkolla “Elena Gjika” del me sqarim për dokumentin që u bë viral
Dje u publikua një dokument i shkollës “Elena Gjika”, ku shkruhej një marrëveshje mes shkollës dhe prindërve, në të cilën ra në sy termet “prindi 1 dhe prindi 2”.
Për shkak të këtij termi ka shpërthyer një debat i madh.
Pas këtij debati, ka reaguar vetë shkolla “Elena Gjika”.
“Përmes kësaj shkrese, Ju njoftojmë se gjatë shpërndarjes së pakos me dokumente të unifikuara për shkolla, ka ngjallur reagim publik njëri nga dokumentet e përfshira “Marrëveshje e shkollës me prindërit.”
Kjo draft -marrëveshje është hartuar nga grupe punuese të shkollave gjatë vitit të 2023 dhe është në harmoni me praktikat evropiane për nënshkrim nga dy prindërit.
Është vërejtur se disa prindër e kanë ndërlidhur me procese të tjera, për çka shkolla nuk ka pasur këtë qëllim.
Për shkollën është e rëndësishme që dy prindërit të jenë pjesë e shkollimit dhe garantues i bashkëpunimit e ndarjes së përgjegjësisë në të mirë të fëmijëve.
Ne ndajmë keqardhje për çdo shqetësim të mundshëm që kjo situatë mund të ketë shkaktuar” – thuhet në reagimin e shkollës.