Një klasë në “Dardani” bojkoton mësimin për shkak të orarit
Prindërit e nxënësve të klasës II/4 të Shkollës Fillore të Mesme e Ulët “Dardani”, kanë vendosur të bojkotojnë procesin mësimor nga nesër, sepse sipas tyre orari i propozuar për vitin shkollor 2024-2025 është i papërshtatshëm.
Përmes një komunikate për media, thuhet se orari i propozuar për fëmijët në klasën e dytë është nga ora 15:00 deri në 18:25.
Sipas tyre, ky orar është tejet i papërshtatshëm për fëmijët, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore, raporton Ekonomia Online.
“Shumë prej nesh, si prindër që punojnë, i dërgojmë fëmijët në qëndrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe ky orar i ri do të thotë se ne mund t’i marrim fëmijët vetëm rreth orës 19:00 pasdite. Është shkencërisht e vërtetuar se orare të tilla nuk janë efektive për fëmijët, pasi çrregullojnë procesin e mësim nxënies. Për më tepër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 50, Pika 4, thekson qartë se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.
Ne besojmë fuqishëm se ky orar për nxënës të moshës 7-8 vjeç nuk e merr parasysh interesin më të mirë të fëmijëve tanë. Ndërsa një orar i tillë mund të jetë i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme, Kosova dhe sistemi ynë arsimor nuk po kalojnë nëpër ndonjë periudhë të tillë. Prandaj, ne, prindërit e nxënësve të klasës II/4, kemi vendosur unanimisht të bojkotojmë procesin mësimor nga e Hëna date 16.09.2024, deri sa të na ofrohet një orar më i përshtatshëm për fëmijët tanë”, thuhet në komunikatë.