Prezantohet komunikata ‘53’, Zyrapi: Nuk di se cilat masa janë marrë ndaj kolaboracionistëve

Prezantohet komunikata ‘53’, Zyrapi: Nuk di se cilat masa janë marrë ndaj kolaboracionistëve

Dëshmitari Bislim Zyrapi lidhur me komunikatën “53”, e cila pretendohet se është lëshuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në shtator të 1998-ës, tha se nuk e di se cilat masa janë marrë ndaj kolaboracionistëve.

Fillimisht, gjyqtari Guénaël Mettraux ia prezantoi dëshmitarit këtë komunikatë, me ç’rast i kërkoi atij që të fokusohet në paragrafin e dytë, ku sipas tij thuhej se masat ndëshkuese të formave të ndryshme po ndërmerren edhe kundër elementeve kolaboracioniste, të cilët po vazhdojnë t’i kryejnë shërbime e pushtetit okupator.

“Jo se komunikatën s’e di se cila ka qenë në atë periudhë dhe këto masa çka janë marrë nuk e di”, tha Zyrapi, kur u pyet nëse e di se çfarë masa ishin marrë ndaj këtyre personave të cilët i personifikon komunikata.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet nëse pajtohet se kjo nuk kishte të bënte me sektorin juridik.

“Po atëherë hala nuk ka pas sektor juridik”, tha dëshmitari Zyrapi, por që përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se a kishte ndonjë ide se për çfarë masa ndëshkuese po bëhej fjalë aty dhe se çfarë ndëshkimi kanë marrë kolaboracionistët nga UÇK-ja.

Më tutje, Mettraux ia prezantoi dëshmitarit një dokument tjetër dhe e pyeti se a ishte në dijeni që ‘kolaboracionistët e armikut janë trajtuar nga Policia Ushtarake dhe Njësia Speciale”, gjë të cilën e pohoi.

Madje, Zyrapit iu prezantua një dokument për të cilin tha se ishte përmbledhje e raporteve të bëra nga komandantët e zonave lidhur me këto njësi, ku theksohej se janë duke e menaxhuar mirë çështjen me kolaboracionistët.

Gjyqtari u kthye te deklarata e dëshmitarit, kur kishte thënë se një dokument i cili nuk ka numër protokolli, vulë dhe nuk është i nënshkruar, nuk mund të ishte në fuqi. Prapa kësaj deklarate qëndroi edhe sot në sallën e gjyqit dëshmitari Zyrapi.

Shpërndaje në: