Presioni ndaj Merkelit rritet
Ç’do të thonë Mynihu, Vyrcburg, Reutlingen dhe Ansbachu për kancelaren e refugjatëve Merkel? Nga ecuria e mëtejshme do të varet nëse ajo do të vazhdojë të jetë kancelare për një mandat të ri
Mbi imazhin rrezatues të kancelares së dashur nga të gjitha anët Angela Merkel në Gjermani, veçanërisht gjatë vitit të kaluar në valën e krizës së refugjatëve, kanë rënë shumë hije. “Merkel-duhet-të largohet”- parrullat, që tani dëgjohen e lexohen në mbarë vendin nga përkrahësit e partisë “Alternativa për Gjermaninë” dhe të tjerë kritikë të Merkelit, në vitet më përpara as që mund të imagjinoheshin. Merkeli e inskenoi vetveten si “kancelarja e refugjatëve”. Kjo i solli asaj respektin e madh të një pjese të gjermanëve – por shumë të tjerë vetëm shkundin kokën prej habisë.
Pikërisht në javët e kaluara kjo klimë e polarizuar u qetësua disi. Ra në sy korrelacioni i çtensionimit në politikën e brendshme me rënien e ndjeshme të numrit të refugjatëve, pas mbylljes së të ashtuquajturit itinerari ballkanik. Në media tema e refugjatëve u spotua në radhët e fundit të lajmeve. Vlerat për partinë e Merkelit, CDU u përmirësuan.
Një kthesë e re për prestigjin e Merkelit
Për Merkelin ishte mjaft e përshtatshme edhe lufta e re për pushtet brenda partisë AfD, që paraqet rrezik për partinë e saj. AfD (Alternativa për Gjermaninë). Kryesia e saj tregoi, se preferohet më shumë grindja deri në mohimin e partisë, se sa avancimi në ekip. Në sondazhe kjo u pasqyrua me humbjen e ndjeshme të pikëve.
Sulmet e ditëve të fundit në Gjermani shënojnë një kthesë të re. Sepse në opinionin publik tashmë Merkel dhe refugjatët janë dy terma të pandashme. Tani, që sërish në një kuptim refugjatët po bëhen objekt i kryeartikujve, po rritet sërish edhe presioni ndaj Merkelit.
Pavarësisht nëse sulmet në Vyrcburg, Mynih, Reutlingen apo Ansbach janë kryer nga refugjatët apo kanë një sfond islamist – hetimet janë në vazhdim e sipër. Por shumë do të jenë ata që nuk duan dhe as nuk munden ta bëjnë këtë diferencim të nevojshëm. Të huaj, migrantë, refugjatë, gjermano-iranianë – të gjithë i fusin tani në një kallëp. Nëse akte të tilla si këto të këtyre ditëve shpeshtohen, nëpër kokat e njerëzve lidhja do të bëhet shumë shpejt.
Një pas i menjëhershëm për AfD-në
Mbështetje morale u jep këtyre zgjedhësve partia AfD, për objektivat politike të së cilës këto ngjarje janë si një pas i favorshëm. “Ne gjithmonë e kemi thënë, që emigracioni i pakontrolluar nënkupton vetëm rrezik”, shprehje të ngjashme lexon këto ditë në postimet në Twitter- dhe Facebook të politikanëve të AfD-së. Fajin për këtë e ka në radhë të parë Merkeli, e cila donte t’i hapte kufijtë.
Merkeli është ndërkohë me pushime në Uckermark, ku ajo është rritur. Natyrisht ajo është gjithmonë në shërbim, thuhet. Në fakt ajo nuk e ka të mundur të stakohet tërësisht. Sepse krahas dhunës në Gjermani edhe puçi në Turqi sjell pasojat e veta duke e lëkundur marrëveshjen e saj të arritur me mundim mes BE-së dhe Erdoganit për refugjatët.
A do të kandidojë edhe një herë Merkeli?
Pas një viti zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Nëse Merkeli do të kandidojë sërish si kancelare, këtë ajo deri tani e ka lënë të hapur. Vendimi i saj do të varet në mënyrë thelbësore prej zhvillimeve të mëtejshme në kompleksitetin e çështjes së refugjatëve. Një sulm terrorist si në Paris appo në Bruksel mund ta bëjë të pamundur rikandidimin e Merkelit.
Sa i përket AfD-së – këtë shtator pritet me interes, sepse pikërisht në atdheun e Merkelit Meklenburg-Pomerani të paktën mund të imagjinohet, që AfD-ja të dalë partia më e fortë në zgjedhjet për parlamentin e landit. Ende diferenca ndaj CDU-së që kryeson është e madhe. Por nëse do të ketë sërish sulme në amok apo akte terroriste, kjo diferencë mund të zbehet. Lufta për pushtet brenda AfD-së sipas dëshirës së kryetares së partisë, të vetëdijshmes për pushtet Frauke Petry, në javët e ardhëshme duhet të jetë sqaruar.
/DW