Presidenti, tregimi i Bahriut dhe ripërcaktimi i kufijve
Shkruan: Valon Murati
- Presidenti në intervistën e fundit në ‘Rubikon’ me Adriatik Kelmendin ripërsëriti qëndrimet e tij të kohëve të fundit se është kundër shkëmbimit të territoreve e njëkohësisht duke qenë krejt i paqartë se çka nënkupton ai me korrigjim të kufijve. Synimin se do të punojë për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën tani më nuk e paraqiti si projekt politik për të cilin do të angazhohet seriozisht dhe i cili është i mundshëm, por si dëshirë. Madje si një dëshirë goxha e parealizueshme. Si dëshirë, besoj nuk ka shqiptar që është kundër. Por në thelb presidenti e la të nënkuptohej se nuk do të merret me atë punë. Ngadalë, pasi që projektin që nga fillimi e shpërfaqi jo të qartë për qytetarët (paqartësi që i frikësoi një pjesë të mirë të tyre), po rikthehet me qëndrime tek pjesa tjetër e klasës politike, e frikësuar dhe refuzuese ndaj kësaj ideje për arsye e interesa të ndryshme, por asnjëra në funksion të interesit publik e kombëtar. Po rikthehet ta dojë më shumë Leposaviqin në Kosovë sesa Kosovën me Preshevë. Po rikthehet në pozicionin që e bëjnë të gjithë politikanët tanë mediokër, jo t’i prij procesit, jo ta mbrojë çështjen me guxim e vizionaritet prej burrështetasi, por të pres si të gjithë të tjerët. Nëse kjo realizohet si pjesë e ndonjë kompromisi të imponuar nga ndërkombëtarët, mbi të gjitha amerikanëve, atëherë mund ta pranojnë ndoshta të gjithë liderët bashkë. E në këtë vazhdë presidenti edhe mund të lavdërohet pak. Dhe në fund do të thotë ai, dhe të gjithë të tjerët se ky në të vërtetë është korrigjimi i kufirit. Nëse nuk ndodh gjë, apo dështojnë bisedimet atëherë do të vazhdojnë betimet në integritet territorial, por pa ide e kreativitet për zgjidhje për qytetarët e këtij vendi. Ndërsa intimisht të gjithë e dinë se çdo stabilizim i përhershëm i Kosovës shkon përmes një marrëveshjeje finale me Serbinë. Duam apo nuk duam ne. E ironia është se do të duhej të donim, sepse është interes yni jetik.
- Duke fol presidenti, e duke i ndryshuar fjalët ku me ditë sa herë këto vitet e fundit, mu kujtua një tregim që na e tregonte shpesh Bahri Fazliu gjatë viteve 90’. Ishte periudha e përpjekjeve tona për fuqizimin e radhëve të politikës së luftës së armatosur çlirimtare dhe Bahriu me natyrën e tij të dashur e humorin e mprehtë tregimet dinte t’i vendoste në kontekstin e rrethanave të kohës. Diku në Llap, djali e baba vijnë në përfundim se nuk largohet Serbia pa luftë. Por vendosin t’i thërrasin edhe burrat e katundit që ta kuvendojnë këtë punë e të fillojnë të organizohen. Pasi vijnë burrat e katundit në odën e tyre, djali e baba e hapin bisedën rreth luftës. Ata fillojnë t’u thonë bashkëvendësve se rrugë tjetër veç luftës së armatosur nuk ka andaj duhet të bëhen bashkë e të fillojnë të organizohen për luftë. Por pasi çelet muhabeti i luftës, mysafirët fillojnë të largohen ngadalë një nga një e pa u hetuar shumë. Largohen as pa thënë natën e mirë. Në fund në odën e tyre, mbesin vetëm djali e baba. Atëherë djali i thotë babës: “babë po më duket që na mbet lufta te dera”. Duke e kujtuar këtë tregim të një kohe të rëndë, më shkoi mendja sesi kjo puna e ripërcaktimit të kufijve na ‘mbet te dera’ ne LB-së prapë. Situata nuk është krejt e lehtë e as për humor, por më e rëndë ishte gjithsesi në vitet 90’. Andaj me vete këtë krahasim që papritur më erdhi ndër mend, teksa dëgjoja presidentin, e përcolla me një buzëqeshje ironike.
- Sidoqoftë edhe në këtë rast e kisha ngushëllim fundin e tregimit të djalit dhe babës. Në fund lufta kishte qenë e domosdoshme për t’u fituar liria dhe e pashmangshme për shkak të rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Andaj si djali e baba që kishin pas mbet vetë, por në fund veç lufta ishte zgjidhja për lirinë e Kosovës, pa marrë parasysh se çka thonë presidentët tanë, kryeministrat (ish, aktual e në ardhje), liderët e pozitës e opozitës, analistë e gazetarë, nuk ka zgjidhje tjetër të drejtë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë përveç marrëveshjes finale që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve. Nëse duam zgjidhje të përhershme të problemeve me Serbinë, nëse e duam Kosovën shtet funksional, nëse duam heqje të privilegjeve të padrejta dhe rrjedhimisht bllokuese për pakicën serbe (jo edhe të drejtat e tyre), nëse e duam ndryshimin e kushtetutës për t’i bërë këto ndryshime të mëdha, nëse duam hapjen e rrugës për bashkim, nëse duam stabilitet, sundim të ligjit e zhvillim ekonomik, nëse mendojmë pak për shqiptarët e Kosovës Lindore që janë pjesë e pandarë e jona, këtë e mundëson vetëm ideja e ripërcaktimit të kufijve. Pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, pjesa serbe e Leposaviqit, Zubint Potokut e Zveçanit me Serbinë. Të tjerat zgjidhje janë jashtëzakonisht të zymta madje të errëta për Kosovën. E para është të mos kemi marrëveshje fare dhe të mbesim në këtë status quo degraduese, rrënuese e drobitëse. Pa pranim në organizata ndërkombëtare, pa zhvillim ekonomik, pa sundim të ligjit, peng të betejave të brendshme politike që për qëllim do të kenë gjithmonë ‘çështjet e mëdha’ të pazgjidhura me Serbinë. Rrjedhimisht do ta kemi edhe në krye edhe këtë garniturë politike, me gjuhën e sjelljen e njëjtë politike. Dy zgjidhjet e tjera të mundshme mund ta hapin rrugën e bosnjëzimit të Kosova (të shpresojmë jo edhe të libanizimit) përmes ndonjë marrëveshjeje që do të krijonte ose asociacionin ose autonominë për veriun. Qoftë varianti më i butë i asociacionit, qoftë ajo i autonomisë kombinuar me privilegjet bllokuese që serbët kanë me kushtetutë dhe ndikimin e Serbisë tek ta, do ta bënin Kosovën një shtet krejt jofunksional. Me këto opsione do të vazhdohet vuajtja e qytetarëve të këtij vendi edhe për dekada. E në fund, në vend të ripërcaktimit të kufijve sot, do të kemi vërtetë ndarjen e Kosovës nesër. Është koha e fundit të mendojmë jashtë skemave e kufijve mendorë që na i kanë caktuar të tjerët në rrethana të tjera, e kufij të cilët po i betonizojmë ne edhe kur të tjerët po ndryshojnë.