Presidenti kërkon një kulm të ri mbi shtëpinë e rrënuar
Ka disa muaj që ne i shohim krerët e shtetit duke bartuar me krah dokumentet në zyret e njëri-tjetrit ku i raportojnë vetes për të arriturat e Kosovës. Ngjashëm bëri edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili lexoi para kabintetit të qeverisë një sërë suksesesh që paskësh arritur Kosova.
Pasi lexoi gjithë atë dokument, mbi 20 minutësh, Thaçi e Haradinaj komplimentuan njëri-tjetrin që kanë krijuar një ‘format të ri raportimi’.
Para presidentit i cili e bëri Kosovën parajsë për të jetuar, ishin pothuajse të gjithë ministrat: ministri i arsimit të dështuar të Kosovës, ministri i shëndetësisë kaotike të Kosovës, ministri i infrastrukturës së kushtueshme të Kosovës, ministrja e mjedisit të ajrit të ndotur të Kosovës…
Por, kah përfundimi i fjalës së tij para ministrave, Thaçi pati edhe tri propozime – kërkesa. Një nga to, ishte që të ndërtohet një rezidencë e re për institucionet e Kosovës. Arsyetimi i Thaçit në këtë pikë ishte ky: që të përfaqësohet sa më dinjitetshëm Kosova.
Pas pak orësh, në arsyetimin e kërkesës së tij për ndërtimin e kompleksi rezidencial të institucioneve, Thaçi zgjati fjalinë me arsyetimin e ‘domosdoshmërisë së kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës’.
Këtu lind pyetja se si është duke u prezantuar aktualisht Kosova, nëse jo në mënyrë reale?
A ka pasur ndonjë mashtrim optik në të gjitha ato raporte, konferenca, dokumente për të arriturat e Kosovës, ta zëmë, në periudhën e 10 vjetorit të shtetësisë.
A ka ndonjë sukses që ne nuk po arrijmë ta prekim, ta shohim ose dëgjojmë në mungesë të një shtëpie të re për institucionet, ekskluziviteti i të cilave po ruhet për t’na u thënë nga një ndërtesë pak më e bukur qeveritare?
Ja ku jemi: arsimi jonë është i rrënuar, shëndetësia po ashtu, pa liberalizim vizash.
Kujt do t’ia përfaqësojmë dinjitetshëm Kosovën në ndërtesën e re?
Supozojmë që në zyret e reja, të ndërtesës së re qeveritare do të bartet menjëherë qeveria. Aty, kryeministri Haradinaj do të takojë deputetin dhe këngëtarin e mirënjohur Labinot Tahiri, këngëtarin Xeni, motrat Mustafa, vëllezërit Mziu, Shyhretja me të renë dhe djalin, vajzën e saj Engjëllushen, etj. Sepse, me këtë trend takimesh, (larg asaj që këta këngëtarë nuk kanë ndonjë vlerë, jo. Kanë vlera të mëdha), por në këtë trend takimesh, ne kemi harruar madje edhe kur dikush si Hoyt Bryan Yee ka qenë në Kosovë të na ngushëllojë për ‘miqësinë e vendosur dhe të sigurtë amerikane’.
Duke tingëlluar si një doktor që lexon një recetë klinikisht të shkruar mirë, Thaçi kërkoi që përveç ndërtesës së re, të ndërtohet edhe një muze për luftën dhe një obelisk lirie në Prishtinë. Përkundër, që këto dyja edhe arsyetohen disi, ai fliste sikur me turp që Prishtinës tashmë i mungojnë këto dy ‘gjëra nga betoni’.
Paradoksalisht, derisa Thaçi fliste për dy objekte që do ta përkujtojnë luftën, pak kilometra nga Prishtina, në Prekaz, me siguri do të ketë qenë duke u rrënuar ‘armatura’ e mbetur e Kompleksit Memorial.