Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së pret në takim veprimtarin Sali Bislimi, ky i fundit kërkon mbështetje për Kosovën

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së pret në takim veprimtarin Sali Bislimi, ky i fundit kërkon mbështetje për Kosovën

Veprimtari Sali Bislimi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, aktualisht kryetar i “Zërit Perëndimor të Kosovës”, është pritur sot në takim nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Theódoros Roussópoulos.

“Pritje shumë e ngrohtë dhe miqësore nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg z. Theódoros Roussópoulos. Në cilësinë e kryetarit të ‘Zërit Perëndimor të Kosovës’ pata kënaqësinë të bëjë një rezyme për Kosovën e vlerave Evropiane, përpjekjet e saj për liri, shtetndërtim dhe anëtarësim në organizatat botërore, në theks të veçantë anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”, ka njoftuar në “Facebook” Sali Bislimi.

Gjatë takimit Bislimi, ka kërkuar nga Roussópoulosi një përkushtim më serioz dhe më shumë dashuri për Kosovën, raporton “Epoka e re”.

Bislimi ka theksuar se BE-ja duhet të na ndihmojë në integrimin tonë pa kushte, sidomos tek pesë vendet evropiane që nuk na kanë njohur akoma.

“Ne jemi vetë Evropa, rrënjët tona i kemi thellë tek Gjergj Kastrioti dhe kodi i Lek Dukagjinit që na ndihmoj t’i qëndrojmë drejt sfidave që dashen të na lekundin vlerat tona. BE-ja duhet të na ndihmojë në integrimin tonë pa kushte, për 5 vendet evropiane që nuk na njohin akoma, të bëjnë atë për hir të ardhmes tonë të përbashkët. Apeloj që të na ndihmoni edhe në mbrojtje të islamit politik i cili vjen nga jashtë që na bëhet hendikep i rrugës tonë drejt integrimit. Më është premtuar se në agjendën e muajit maj Këshilli i Ministrave do të vendos në favor të Kosovës. BE-ja duhet të jetë më e sinqertë, më transparentë dhe të komunikojë në mënyrë vëllazërorë me politiken kosovare”, ka thënë Bislimi.

Ai ka theksuar se në mungesë të politikës parimore janë bërë luftërat. “Ku jam edhe vetë pjesë e saj, i lindur në mal dhe jetë kam bërë me gjarprin e shtëpisë që asnjëherë nuk na ka sulmuar, sepse ishte i shtëpisë, i gjendur edhe pran kroit ku merrja ujë me Arushën u takuam ajo kishte lot në sy, edhe unë nga frika por gjetëm një mirëkuptim pa dëme ndaj njëri – tjetrit. Ne jemi të një shtëpie duhet të të ndihmohemi për të ecur bashkë dhe në vlera të civilizimit. Pa dyshim kishte edhe pakënaqësi për trajtimin e minoriteteve, ku urojmë që Qeveria e ardhshme të punoj drejt”, është shprehur Bislimi.

Ai ka uruar që në zgjedhjet e 9 shkurtit populli të votojë drejt dhe të votojë për demokracinë si shansin e vetëm për të ecur më shpejt në integrime.

“Shumë mirënjohës për mikpritjen z. kryetar Roussopoulos. Do të takohemi përsëri”, ka shkruar Bislimi.

Shpërndaje në: