Presidenti Biden fal 39 persona, u lehtëson dënimin 1500 të tjerëve
Presidenti në largim i SHBA-së Joe Biden tha të enjten se ka falur 39 persona të dënuar për krime jo të dhunshme dhe se u ka reduktuar dënimet rreth 1500 të tjerëve që po vuajnë dënime afatgjata me burg.
Ky zhvillim vjen një javë pasi presidenti nënshkroi një falje të pakushtëzuar për djalin e tij, Hunter Biden.
Javën e kaluar zyrtarët thanë se Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte thirrjet drejtuar zotit Biden për të faluar apo reduktuar dënimet e atyre mijëra njerëzve, që sistemi gjyqësor amerikan nuk i ka trajtuar drejtë.
Reduktimet në dënime të enjten u njoftuan për ata që ishin vendosur në arrest në shtëpi gjatë pandemisë së COVID-19.
Zoti Biden tha se këta njerëz do të kishin marrë dënime më të shkurtra nëse akuzoheshin sipas ligjeve, politikave dhe praktikave të sotme.
Javën e kaluar burime i thanë agjencisë Reuters se faljet që po diskutoheshin lidheshin me dënime për vepra jo të dhunshme që kishin të bëni me drogën si dhe me persona të identifikuar nga grupet e të drejtave civile, si të burgosur padrejtësisht.
“Si president, kam privilegjin e madh të tregoj mëshirë për njerëzit që kanë treguar pendesë dhe që janë rehabilituar, duke u dhënë mundësinë amerikanëve që t’i kthehen jetës së përditshme dhe për të kontribuar në komunitetet e tyre, si dhe duke ndërmarrë hapa për të hequr pabarazitë në dënime për shkelësit jo të dhunshëm, veçanërisht ata të dënuar për vepra penale që lidhen me drogën”, tha Presidenti Biden.
Ai shtoi se do të ndërmarrë më shumë hapa në javët në vijim dhe se administrata e tij do të vazhdojë shqyrtimin e peticioneve për falje.
Shtëpia e Bardhë tha se vendimet e marra nga zoti Biden për nga numri ishin më të mëdhatë të ndërmarra në një ditë të vetme.
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, ka thënë se në ditën e tij të parë në detyrë, do të falë personat e përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021. /VOA