Presidenca e konfirmon se i ka kthyer në Kuvend dy ligje: Janë në kundërshtim me Kushtetutën
Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se presidentja Vjosa Osmani ka kthyer në rishqyrtim Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe atë për mbrojtjen e konsumatorit.
Në një komunikatë për media, ku janë publikuar edhe vendimet për rikthimin e ligjeve në Kuvend, presidenca ka thënë se Osmani ka përdorur të drejtën e vetos.
Ligji për Këshillin e Sigurisë, siç thotë presidenca, me përmbajtjen aktuale rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ndërkaq Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë. Për më tepër, bashkëngjitur gjeni dokumentet me arsyetimet përkatëse.” – thuhet në komunikatë.