Prerjet gjeometrike, kryefjala e vitit 2018 sa i përket modës
Prerjet gjeometrike janë trendi i fundit, një mbretëri vizash, katrorësh, trekëndëshash, rombesh e trapezesh kanë pushtuar një pjesë të mirë të veshjeve tona, duke u shndërruar në must-in e momentit. Po të ndalemi pak,vëmë re se kjo është një tendencë që nuk ka dalë kurrë nga moda, por, këtë vit vjen fuqishëm, duke u shfaqur në forma të ndryshme e duke sjellë këndvështrime të reja.
Të gjitha këto figura gjeometrike krijojnë një kaleidoskop, duke kombinuar materialet me ngjyrat e dizajnet e duke na ofruar një stil bashkëkohor dhe mjaft elegant në të njëjtën kohë.
Protagonist të këtyre figurave janë ngjyrat e ndezura, që në njëfarë mënyre do të bëjnë dhe ndarjen pamore, duke na sjellë edhe njëherë modën e viteve `60, të interpretuar në ditët e sotme.
Janë të shumtë arkitektët e dizajnit që e kanë bërë të tyrin këtë stil, duke sjellë një risi të momentit, për të theksuar sërish se moda nuk ka nevojë për teorema, por është e pranueshme për të gjithë nëse di të kombinohesh me shije.