Me premierën “Mësuesi”, festohet 7 marsi në Mitrovicë
Në mbarë trojet shqiptare më 7 Mars shënohet Dita e Mësuesit, andaj për nderë të kësaj feste, edhe në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, do të shfaqet premiera e dramës “Mësuesi”, përcjell KultPlus.
Nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Fidan Ademi, kanë pritur të premten Mirsad Feratin dhe Marigona Bekteshi Ferati, përfaqësuesit gjeneral në Kompaninë e Teatrit për të rinj në Kosovë “Mitrix Culture” dhe ekipin e nxënësve të cilët do të marrin pjesë në këtë shfaqje.
Shfaqja në fokus ka mësimdhënien, kontributin e mësimdhënësve nëpër dekada dhe mosrespektim ndaj tyre tani.
“Drama flet për sakrificën dhe kontributin e mësimdhënësve nëpër dekada, ndërsa tani vërehet një mungesë respekti ndaj tyre. Përmes shfaqjes duam që këtyre mësimdhënësve tu japim mirënjohje publike për punën e madhe që kanë bërë në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj”, tha ndër të tjera Ferati.
Nënkryetari Mujka dhe drejtori Ademi, mirëpritën shfaqjen e këtij projekti në Mitrovicë dhe thanë se edhe në të ardhmen do të mbështesin projekte të këtilla, thuhet në njoftim./KultPlus.com