Premier League akuzon Manchester Cityn për shkelje të rregullave më shumë se 100 herë
Premierliga e ka akuzuar kampionin aktual Manchester City se i ka shkelur rregullat e saj për ndershmëri financiare, pas një hetimi katërvjeçar.
Liga elitare angleze e ka çuar klubin në një komision të pavarur për shkeljen e rregullave nga viti 2009 deri në vitin 2018.
Ajo e akuzon Cityn po ashtu se nuk ka bashkëpunuar gjatë hetimit që nisi në dhjetor 2018.
Sezonin e kaluar, City e fitoi titullin e gjashtë në Premierligë që prej vitit 2008, kur klubin e bleu Abu Dhabi United Group.
Në një komunikatë për media të hënën, Premierliga tha se City i shkeli rregullat pasi i ishte kërkuar të jepte informacione të sakta financiare të cilat pasqyrojnë pozitën e vërtetë dhe të ndershme financiare të klubit.
Manchester City i ka mohuar vazhdimisht akuzat për shkelje financiare. UEFA e kishte pezulluar Cityn për një vit në vitin 2020 duke e akuzuar për shkelje financiare, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër ia hoqi pezullimin.
Në Angli raportohet se nëse shpallet fajtor, City do të dënohet me pikë, që do t’i ndihmonte Arsenalit në garën për titull.