Njerëzit vs mushkonjat: Çka të bëjmë me vrasësit tanë më të mëdhenj?
Këto kandrra të vogla adaptohen aq lehtë me ndryshimin e kushteve të motit sa janë bërë grabitqarët më vdekjeprurëse të njerëzimit. Shpejt mund t’i zhdukim – por a duhet ta bëjmë këtë gjë?
Jemi në luftë me mushkonjat. Me një ushtri mizëruese e konsumuese prej 110 trilionë mushkonjash patrulluese në çdo skutë të globit përveç Antarktikës, Islandës dhe pak ishujve. Luftëtarja femërore thumbuese e këtij insekti është e armatosur me të paktën 15 armë vdekjeprurëse biologjike, që mund të përdoren kundër 7.7 miliardë banorëve njerëz.
Në fakt, buxheti ynë i mbrojtjes kundër tyre nuk e kalon 11 miliardëshin për një vit, por po rritet në mënyrë rapide. E megjithatë, fushatat ofanzive dhe krimet kundër njerëzimit nga mushkonjat vazhdojnë. Ndërsa kundërsulmet tona po e reduktojnë numrin e viktimave – vdekjet nga malaria që po bien vazhdimisht – mushkonja mbetet gjahtari më vdekjeprurës i qenieve njerëzore në planet.
Statistikat thonë që mushkonjat i vranë rreth 2 milionë njerëz prej vitit 2000. Kafshët e tjera janë shumë më poshtë.
E megjithatë, mushkonjat nuk lëndojnë askënd në mënyrë direkte. Janë sëmundjet toksike dhe tepër të evoluara që ato transmetojnë që shkaktojnë barazh të pafundmë të shkatërrimit dhe vdekjes. Pa të, megjithatë, këto patogjene të këqija nuk mund të transferoheshin apo të drejtoheshin kah njerëzit. Pa këto mushkonja, sëmundjet e tilla nuk do të ekzistonin.
Sistemi ynë imunitar është imtësisht në akord me mjedisin tonë ku banojmë. Mushkonjat nuk respektojnë kufijtë ndërkombëtarë. Ato sjellin sëmundje të reja nga vende të largëta. Në fund të fundit, e vërteta është që, më shumë se si një pjesëmarrës i jashtëm, mushkonjat, si gjahtarët më vdekjeprurës të njerëzve, i lëvizën ngjarjet e historisë njerëzore për të krijuar realitetin tonë aktual.
Ka qenë një prej zërave më bezdisës në Tokë për 190 milionë vjet – angullima e një mushkonje. Ajo e gicë këdo – pa bërë dallime race, etnie, kulture, kombi, feje etj.
Miti se mushkonjat preferojnë gratë më shumë se burrat është i pavërtetë. E megjithatë, është e vërtetë se kanë disa preferenca. Për shembull, ato i sulmojnë më shumë ata që pinë birra. Po ashtu, ata që veshin ngjyra të çelëta.
Për dallim nga gjinia femërore, mushkonjat mashkullore nuk gicin. Bota e tyre sillet rreth dy gjërave: nektarit dhe seksit.
Në luftën kundër mushkonjave është i përfshirë edhe Fondacioni i Bill Gates, njeriut më të pasur në planet. “Investimet tona në kontrollimin e mushkonjave përfshijnë përpjekjet jotradicionale biologjike dhe gjenetike e po ashtu edhe intervenimet e reja kimike që mësyjnë shterimin apo heqjen e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat.” – thotë Fondacioni i tij.
Por, eliminimi i mushkonjave e rrezikon krejt ekuilibrin biologjik të natyrës. Çka mund të ndodh nëse i zhdukim speciet që luajnë në rol thelbësor e të panjohur në ekosistemin tonë?
Artikulli është përkthyer, përshtatur e shkurtuar nga Periskopi prej The Guardian