Prej kapjes në kapje

Prej kapjes në kapje

Në javët e fundit, në hapësirën tonë politike, vërehen aktivitete interesante të dy partive politike që kanë një mosmarrëveshje për një marrëveshje se si duhet qeverisur vendi. Natyrisht hipokrizia është pjesë e këtyre përpjekjeve. E sigurisht interesat partiake janë ato që përcaktojnë artikulimin e (kinse) idealeve të këtyre partive, varësisht nga konteksti.

Përveç tjerash, janë tri pika shënjuese që mund ta rrokim këtë peisazh politik, që VV po i përdorë.

Arroganca

Arroganca e shprehur nga VV në raport me LDK dhe të tjerët është asimetrike me numrat e fituar në zgjedhjet e fundit. Mbase do ta kuptonim dhe pranonim këtë ligjërim politik të VV sikur ajo ta kishte një dallim më të thellë numrash, po ja që ky është rezultati që ta determinon edhe takatin politik dhe rrjedhimisht edhe kushtet mbi të cilat mund të bëhen kalkulimet partiake. Përndryshe nuk ka kuptim.

Pedagogjia

Në deklaratat e fundit të anëtarëve të kryesisë së VV në raport me LDK vërehet një qasje pedagogjike (e pamoralshme e shumë kontradiktore). Madje thirrjet dhe zërat e VV sikur kanë për qëllim “riedukimin e LDK” që mandej ta falin. Mënyra se si sillen ndaj saj: ose me ne dhe gjynahet të fshihen ose pa ne dhe LDK shkon në ferr, do të mund të “trajtoheshin” me një buzëqeshje cinike, por ata po besojnë ende në barrën e seriozitetit të tyre (dhe Historisë) e që është tragjedia vet.

Kapja

VV e LDK e kanë ndalur shtetin në pauzë. Kjo mund të përkthehet figurativisht si kapja më brutale e shtetit që nga paslufta.

Kur interesat e një subjekti politik ndalen në apetitet dhe pritjet e militantëve dhe jo të qytetarëve, atëherë krejt (kinse) idealet e humbin fundamentin u teret kuptimi.

Prej kapjes në kapje është sllogani që do të mund ta përthekonte krejt rrugëtimin tonë politik të paslufte dhe këtu nuk përjashtohet as VV, vetëm e priste shansin.

Shpërndaje në: