Prapaskenat e filmit “Një tregim Prishtine”

Prapaskenat e filmit “Një tregim Prishtine”

“Një tregim Prishtine” trajton regjisorja Burbuqe Berisha në filmin e saj të parë të metrazhit të gjatë. Është një temë shumë e ndjeshme, me të cilën përballen shumë familje, jo vetëm në Prishtinë.

Me skenar të Getoarbë Mulliqi Bojajt, filmi flet për një familje, e cila ballafaqohet me humbjen e biznesit dhe probleme financiare. Për t’u mos mjaftuar me kaq, çifti Aurora dhe Beni, të portretizuar nga aktorët Teuta Krasniqi dhe Donat Qosja, kuptojnë që vajza e tyre e vetme, Fiona, vuan nga sëmundja e kancerit, më saktësisht leukemi akute dhe shërimi duhet doemos të bëhet jashtë shtetit të Kosovës.

Kjo është një barrë jashtëzakonisht e madhe për familjen pasi, përveç kësaj, Aurora është e detyruar të paguajë dy kredi, të biznesit të falimentuar të burrit dhe të banesës së sapoblerë po ashtu.

Pjesë e filmit “Një tregim Prishtine” janë disa prej aktorëve më të njohur kosovarë. Barrën më të madhe mbi supe e kanë aktorët Teuta Krasniqi dhe Donat Qosja, të cilët kanë rolet kryesore, derisa pjesë e tij janë edhe: Bislim Muçaj, Myrvete Kurtishi, Aurita Agushi, Ylber Bardhi, Armend Baloku, Artiola Hamdiju, Lis Tafa, Luran Ahmeti dhe Edi Kastrati.

Për shumicën e aktorëve puna e Burbuqe Berishës tashmë është e njohur, derisa edhe këtë të fundit e cilësojnë bashkëpunim të jashtëzakonshëm.

Krasniqi shtoi se pjesë e këtij projekti ka qenë që nga fillimi dhe zhvillimi i punës deri në këtë pikë thotë se është duke i dhënë një emocion të veçantë.

Ëmbëlsira e këtij projekti filmik janë Artiola dhe Lisi. Ndonëse luajnë për herë të parë në një film të metrazhit të gjatë, ata shprehen se po mundohen ta japin maksimumin që gjithcka të dalë sa më mirë.

Ky film, nga Qendra Kinematografike e Kosovës është mbështetur me një buxhet prej 30 mijë eurosh. Kjo shumë është tejet e vogël për realizimin e një filmi të metrazhit të gjatë dhe, sipas Berishës, kjo po arrihet falë bashkëpunëtorëve të jashtëm që ka gjetur.

Xhirimet e “Një tregim Prishtine” do të përfundojnë brenda disa ditëve.

 

Shpërndaje në: