Pozitat kyqe në Ministrinë e Pecit, me ushtrues detyre edhe pas katër vitesh qeverisje

Pozitat kyqe në Ministrinë e Pecit, me ushtrues detyre edhe pas katër vitesh qeverisje

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), e udhëhequr nga Faton Peci, pothuajse që nga marrja e mandatit, pozitat kyqe në këtë ministri i ka me u.d/zëvendës. Siç duket, Peci nuk po gjen njerëz profesional për këto pozita e në këtë mënyrë po i “rehaton” vetëm përkohësisht.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës kanë të lira pozitat e drejtorit, ngase të gjitha janë me ushtrues detyre/zëvendësues, shkruan Periskopi.

Venera Çerkini, çika e tezes së Vjosa Osmani, ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefes Ekzekutive në AZHB përmes një konkursi i cili ishte sa i ngushtë aq edhe i dyshimtë në radhitjen e pikëve. Madje, e njëjta as nuk figurontë në listën e ngushtë të vlerësimit të ekspertëve të Ambasadës së Britanisë në Kosovë.

Çerkini, në shtator të vitit 2023 u ngrit në pozitë, duke u caktuar Ushtruese e Detyrës së Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Pecit, pasi kjo pozitë u lirua nga ish-Sekretari i Përgjithshëm, Blerim Hasani.

Megjithatë, çikës së tezës së Presidentes Osmani, aktualisht është duke iu ruajtur pozita e Drejtoreshës në AZHB, përderisa për momentin është duke e ushtruar detyrën u.d Sekretarit të Përgjithshëm në Ministri.

Në përgjigjen e MBPZHR-së për Periskopin, thuhet se Ministri i MBPZHR-së e ka vendosur në përputhje me përshkrimin e detyrave të punës me qëllim të mbarëvajtjes së punës brenda MBPZHR-së, znj Çerkini.

“Sa i përket pyetjeve tuaja drejtuar institucionit tonë, më lejoni të ju njoftoj se Venera Çerkini në Shtator të vitit 2023 është caktuar Ushtruese e Detyrës së Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pasi kjo pozitë u lirua nga ish-Sekretari i Përgjithshëm, Blerim Hasani, e që nënkupton se nuk është duke e ushtruar pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, detyrë kjo në të cilën znj. Çerkini, pasi i është nënshtruar konkursit sipas Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik dhe vlerësimit profesional nga Komisioni Shtetëror i Pranimit është shpallur fituese.

Sipas Ligjit Nr. 06/L -113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, Neni 18 i saj – Paragafi 5 përcakton se “Sekretari i Përgjithshëm, në rast mungese, zëvendësohet nga drejtori i një prej departamenteve të ministrisë, i caktuar me shkrim nga vetë Sekretari. Në rast pamundësie shëndetësore, drejtori i departamentit që zëvendëson Sekretarin e Përgjithshëm caktohet me shkrim nga Ministri”. Megjithatë, Ligji nuk e përcakton situatën kur mbetet e lirë kjo pozitë dhe kush e emëron Ushtruesin e Detyrës, me ç’rast nënkuptohet se i mbetet në diskrecion Ministrit. Andaj, emërimin e znj. Çerkini, Ministri i MBPZHR-së e ka vendosur në përputhje me përshkrimin e detyrave të punës me qëllim të mbarëvajtjes së punës brenda MBPZHR-së.

Sa i përket emërimeve të Ministrit sipas pyetjeve tuaja, gjithashtu ju njoftojmë se kur mbetet një pozitë e lirë (siç është pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, etj.) pozitat e tilla sipas Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, Neni 38 paragrafi 2, pika 2.1 citon se “Pozitat në Shërbimin Civil ndahen në këto kategori: 2.1. Kategoria e lartë drejtuese, që përfshin këto pozita: Sekretar i Përgjithshëm, Drejtor Ekzekutiv dhe zëvendësdrejtor i një Agjencie Ekzekutive, si dhe pozitat e barasvlershme”, andaj duke marrë parasysh mos gatishmërisë e drejtorëve të departamenteve për të pranuar këtë detyrë, si dhe duke u thirrur në diskrecionin e Ministrit është bërë zëvendësimi i këtyre pozitave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Që nga viti 2021, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) gjithashtu është me u.d/zëvendës. Bekim Hoxha, drejtor i Vreshtarisë dhe Verëtarisë është emëruar zv. në AUV me date 06.06.2023.

Njëjtë, me ushtrues detyre që nga viti 2021 është edhe APK.

Përfituesit e granteve dhe vizitat e ministrit Peci tek ata

Ministri Faton Peci, vitin e kaluar ka deklaruar se ka realizuar 127 vizita tek fermerët përfitues të granteve. Pra, vizitat e tij janë mjaft të shpeshta. Por, pse ka zgjedhur që ministri ta bëj rolin e “inspektorit” dhe nuk rritë numrin e inspektorëve për t’i kontrolluar këto projekte, Periskopi ka pyetur direkt në Ministrinë e tij edhe për këtë çështje.

“Ministri i BPZhR-së, Faton Peci nga marrja e detyrës së tij si Ministër në vazhdimësi ka realizuar vizita në ekonomi të ndryshme bujqësore tek fermerë përfitues dhe jo-përfitues të fondeve të MBPZhR-së, për t’u njoftuar me punën e secilit fermer dhe për t’u njoftuar për së afërmi me kushtet e tyre të punës, sfidat me të cilat përballen në ushtrimin e veprimtarive të tyre bujqësore. Këto vizita, Ministri Peci i kryen me qëllim që të jetë sa më afër fermerëve, e gjithashtu theksojmë se këto vizita e kanë ndihmuar Ministrin Peci në orientimin dhe hartimin e politikave mbështetëse vjetore, e kurrsesi për të zëvendësuar punën e inspekcionit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ndër të tjera, Periskopi ka pyetur në Ministri për sa janë rritë sipërfaqet me drithëra dhe sa është importi i drithërave në krahasim me vitin 2020″.

“Sa i përket sipërfaqeve të mbjella me drithëra në gjithë territorin e Kosovës, në bazë të të dhënave zyrtare të dërguara nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në vitin 2021 ishin gjithsej 68.728 hektarë. Kjo sipërfaqe e këtyre të mbjellave në vitin 2022 ishte 91.436 hektarë, pra më një rritje prej 22,708 hektarë apo 33.04 për qind më shumë se në vitin 2021. Në vitin 2023, sipërfaqet e mbjella me drithëra ishin 112, 206 hektarë apo 20,770 hektarë më shumë se në vitin 2022, që shprehur në përqindje i bie 22.72 për qind më shumë. Në bazë të këtyre të dhënave zyrtare, të mbjellat me drithëra nga viti 2021 e deri në vitin 2023 kanë shënuar rritje për 43,478 hektarë më shumë apo 63.26 për qind më shumë”, thuhet në përgjigjen e MBPZHR-së.

Megjithatë, ndryshe thonë statistikat e publikuara në Raportin e Gjelbërt (statistika zyrtare, shih tabelën më poshtë).

/Periskopi/Enis Rrustemi/

 

Shpërndaje në: