Postimet e Dimal Bashës e mbështetësve dhe fëmijët në tubim, PZAP e gjobit Vetëvendosjen me mbi 25 mijë euro
![Postimet e Dimal Bashës e mbështetësve dhe fëmijët në tubim, PZAP e gjobit Vetëvendosjen me mbi 25 mijë euro](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/pzap-600x360-1-500x300.png)
Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, është gjobitur me 25 mijë e 500 euro për shkelje gjatë fushatës. Ankesat janë dorëzuar nga PDK, LDK dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Pagesën e këtyre gjobave, VV obligohet ta bëjë brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e vendimeve të PZAP
Gjoba më e lartë që i ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kësaj partie është për katër ankesat që i ka dorëzuar PDK’ja. Për këto shkelje VV është gjobitur me 15 mijë euro.
Ankesat kanë qenë për pastime e mesazhe nga ata që PDK pretendon se janë mbështetës së VV’së.
Në përgjigje ndaj këtyre ankesave, VV ka thënë se personat që kanë bërë këto pastime nuk mund të identifikohen si mbështetës të Vetëvendosjes.
“Paneli, pas shikimit të shkresave të lëndës të ofruar si provë materiale, dhe postimet në Facebook, vlerëson se përdorimi i kësaj gjuhe nga simpatizantët e subjektit politik të LVV’së, Reshat Krasniqi, Halil Geci dhe Albin Forca të postuar në rrjetin social Facebook, me emrin “Albin Forca’, në kuadër të fushatës zgjedhore, konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore ka për qëllim të krijojë një lidhje negative ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe krijoj atmosferë tensioni dhe përçarje”, thuhet në vendimin e PZAP
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2025/02/15.png)
PDK ka dorëzuar edhe një ankesë tjetër për Vetëvendosjen, për të cilën kjo parti është gjobitur me 4 mijë e 500 euro tjera.
Në ankesë pretendohet se VV’ja në profilin zyrtar në Facebook ka publikuar një fotografi për investimet e bëra në Klinikën e Oftamologjisë, në të cilën fotografi ka bashkangjitur edhe logon e subjektit politik LVV, fotografi e cila është realizuar në institucionet publike shtetërore, me qëllim të përfitimit të votave.
PZAP në vendim ka gjetur se ankesa është e bazuar dhe se me këtë veprim është shkelur Rregullorja Zgjedhore, ashtu që me qëllim të përfitimit të votave ka publikuar publikuar fotove të investimeve të bëra në Oftamologji, e ka vendosur logon e partisë.
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2025/02/4500.png)
Një gjobë tjetër në vlerë 3 mijë euro i është shqiptuar VV’së pas ankesës së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për pjesëmarrje të fëmijëve në fushatë.
Në ankesë thuhet se monitoruesit e KDI kanë vërejtur në tubimin në Gjilan fëmijë nën moshën 15-vjeçare.
“Paneli ka gjetur se nga video e ofruara si provë nga parashtruesi i ankesës, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, në mënyrë të padyshimtë ka konstatuar se subjekti politik LVV, përkatësisht gjatë fushatës zgjedhore për tubimin e tyre kanë përfshirë edhe fëmijë, veprime këto në kundërshtim me dispozitat ligjore…”, thuhet në vendim.
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2025/02/IKD.png)
Gjoba tjetër në vlerë 3 mijë euro VV’së i është shqiptuar për një postim të deputetit Dimal Basha.
Në ankesë thuhet se Basha ka postuar në rrjetin social në Facebook një postim ku shprehimisht thotë “Oferta e 9 shkurtit e përmbledhur në një foto” dhe ka bashkangjitur një foto të ish-kryeministrit Avdullah Hoti si dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Për këtë postim, VV ishte gjobitur me 10 mijë euro dhe PZAP e kishte urdhëruar Bashën që ta fshijë postimin. I njëjti nuk e ka fshirë dhe për këtë arsye kjo parti është gjobitur me 3 mijë euro tjera.
“Paneli, pas shikimit të bërë të fotografisë së ofruar si provë materiale e cila është publikuar në rrjetin sociale të kandidati për deputet të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, dhe hetimet e bëra nga Paneli është vërtetuar se postimi në fjalë ende ekziston në rrjetin social të kandidatit Dimal Basha, prej nga rrjedh se ky postim ka për qëllim etiketimin e subjekteve tjera politike…”, thuhet në vendim.
Në vendim Basha urdhërohet sërish që ta fshijë këtë postim.
Të gjitha këto gjoba, VV obligohet t’i paguajë brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij vendimi./Reporteri.net
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2025/02/LDK.png)