Posta e Kosovës angazhon konsulent të jashtëm me pagë 7 mijë e 779 euro
Posta e Kosovës ka lidhur kontratë me vlerë plotë 7 mijë e 779 euro me Muharrem Mustafën, i cili është përzgjedhur të angazhohet si konsulent i jashtëm, për mbështetjen e procesit të ristrukturimit në këtë ndërmarrje publike, për dy muaj, raporton AlbanianPost.
Sipas të dhënave në kontratë theksohet se ajo hyn në fuqi pas datës së nënshkrimit nga të dy palët, pra, më 19 korrik të këtij viti dhe përfundon pas 60 ditë pune.
Albanian Post, ka kërkuar sqarime nga Posta e Kosovës, për të arsyetuar vlefshmërinë e shërbimit për çmimin e madh të pagesës.
Gjithashtu, për kualitetin e punës që mund të ofrohet në rastin specifik, “ristrukturimin” e Postës dhe si mund ta bëjë këtë një individ i vetëm në një ndërmarrje me mijëra punonjës, por nuk është kthyer përgjigje prapa.
Po ashtu, Albanian Post, ka kërkuar një përgjigje edhe lidhur me një informacion që e kishte se si Posta, ka dy vjet që ka krijuar një komision të brendshëm që të bëhet ristrukturimi i saj dhe nuk e ka arritur këtë.
Ndërsa, tani për dy muaj, kanë planifikuar që të përfundojë ky proces.
As në këto pyetje nuk janë kthyer përgjigje.
“I kemi marrë pyetjet, i kam përcjellur”, ka thënë Arsim Mehmeti nga zyra për komunikim e Postës, por as pas disa orësh pritje, përgjigje nuk ka pasur.
Sipas disa informatave që ka pranuar redaksia, personi i angazhuar është i afërm i partisë në pushtet, por kjo nuk është arritur të konfirmohet.
Gjithashtu, ka qenë i pamundur kontakti me të angazhuarin Muharrem Mustafën, meqë i njëjti ditëve të fundit ka mbyllur llogaritë në rrjetet sociale.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, paguan Gani Jakupin, si “këshilltar i jashtëm” plotë 7 mijë e 500 euro, i angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si “këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike”.
Koha që i është nevojitur për ta angazhuar Jakupin si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’, ka qenë vetëm 2 javë.