Poshtërsimi i Kurtit dhe kthimi te Shqipëria: Vjosa Osmani dhe aleanca me Edi Ramën

Poshtërsimi i Kurtit dhe kthimi te Shqipëria: Vjosa Osmani dhe aleanca me Edi Ramën

Shkruan: Baton Haxhiu

 

Fjalimi i Vjosa Osmanit në Parlament nuk është vetëm një manifest për mbrojtjen e aleancave, por edhe një sinjal i hapur për fundin e bashkëpunimit të saj me Albin Kurtin.

Pyetja që lind natyrshëm është: Pse tani?

Katër vite heshtjeje dhe përkrahjeje ndaj politikave të tij, të cilat sot i quan “bixhoz” dhe “bukëpërmbysje”, kanë shërbyer më shumë për të thelluar problemet se sa për t’i adresuar ato.

Ky reagim nuk duket edhe si një shprehje e vonuar e shqetësimit strategjik, por më shumë si një përpjekje për t’u pozicionuar si liderja “shpëtimtare” në një kohë kur vendi po përballet me një rritje të presionit ndërkombëtar dhe me një publik gjithnjë e më kritik ndaj izolimit të Kosovës.

Në vend që të udhëhiqte në kohën kur Kurti sfidonte aleatët, Osmani zgjodhi të heshtte; tani, në prag të krizës, ajo zgjedh të flasë, por përplasja nuk është zgjidhje.

Ky është një akt i drejtpërdrejtë i kritikës ndaj Qeverisë Kurti, një distancim që vjen me vonesë.

Për katër vite, ajo heshti ndërsa Albin Kurti udhëhoqi politikën e Kosovës, dhe tani, në një moment kur asgjë nuk mund të përmirësohet, e quan atë të paaftë për të ndërtuar marrëdhënie me aleatët dhe për të menaxhuar dialogun me BE-në.

Akuzat janë të forta dhe të pamëshirshme: “Nënshtrim ndaj burokrateve të BE-së”, aleancë me VMRO-në, dhe refuzim për të ndërtuar një strategji të fortë me SHBA-të, duke treguar rigiditet të papranueshëm.

Në fund, ky fjalim tingëllon më shumë si një kalkulim për pushtet, se sa si një reflektim të vërtetë të dëshirës për bashkëpunim dhe sukses.

Përpjekja për të kapur momentin e krizës dhe për të pozicionuar veten si liderin e shpëtimit është e qartë, por nëse kjo ka ardhur kaq vonë, a mund të ketë ende besueshmëri?

Për më tepër, kritika ndaj Serbisë dhe Maqedonisë si shkelëse të të drejtave të njeriut është një qëndrim i drejtë në thelb, por ajo dështoi të artikulonte një strategji të qartë që i shërben Kosovës dhe shqiptarëve përtej retorikës së përgjithshme.

Shqetësimi për Asociacionin dhe aleancat janë legjitime, por mungesa e sinqeritetit për heshtjen e saj të gjatë ndaj qasjes së gabuar të Kurtit ngre pikëpyetje për qëllimin e vërtetë të këtij fjalimi.

Në fund, nuk është e mjaftueshme të kritikosh bixhozin e Kurtit me aleatët; lidershipi kërkon veprim, përgjegjësi dhe transparencë—atribute që kanë munguar jo vetëm te Kurti, por edhe te vetë Osmani.

Nëse ky është fillimi i një kthese të mirëfilltë, atëherë duhet ta shohim në vepra, jo vetëm në fjalime.

Raportet me Shqipërinë janë një tjetër shembull i lëvizjeve kontradiktore të Osmanit.

Dikur kritike ndaj Edi Ramës, të cilin e ka përshkruar si një zë të papërshtatshëm për shqiptarët dhe të afërt me Serbinë, sot kërkon ndërtimin e një aleance më të fortë me Shqipërinë.

A mund të ndërtohet miqësi mbi dyshime të heshtura dhe heshtje të zhurmshme?

Në politikën shqiptare, edhe raportet personale shpesh bëhen kauza kombëtare, derisa humbasin të dyja – dhe bashkë me to, edhe kredibiliteti.

Kjo është një kthesë që flet më shumë për nevojën për audiencë sesa për bindje.

Miqësia e re, në kontrast me akuzat e mëparshme, lë shijen e një kalkulimi politik që nuk bind të gjithë.

A mund të ketë aleanca të vërteta kur kritikat e djeshme nuk janë sqaruar, dhe kur qëllimet e sotme ende nuk janë të qarta?

Në një kohë kur Kosova përballet me sfida të brendshme dhe presione ndërkombëtare, fjalimi i Vjosa Osmanit reflekton tensionet e akumuluara në skenën politike.

Presidentja artikulon një shqetësim të drejtë për aleancat jetike të Kosovës, por toni konfrontues ndaj Kurtit krijon zero rezultat.

T’i quash qasjet e kryeministrit “bixhoz” mund të jetë një strategji për të vendosur distanca, por në këtë fazë kërkon polarizim me efekt për askënd.

Vjosa Osmani e huqi kohën dhe peshën e fjalisë e zbehu sepse i tha shumë shumë.

Vetëm atëherë kur kuptoi se Albini e poshtëroi duke ia marrë listën e saj Guxo.

Dhe nuk i la as listën dhe as personat. I la vetëm guximin e papërdorshëm.

Shpërndaje në: