Portretet që mbajnë gjallë realizmin socialist
Tamam siç e ka kërkuar regjimi i kohës: saldatori paraqitet madhështor me një qëndrim të fortë e të përpiktë në punë. Në dorën e djathtë mban mjetin me të cilin saldon e me të majtën shtrëngon maskën që i shërben për të mbrojtur sytë.
Të të njëjtit format vijnë edhe mbi 30 vepra të tjera të Zef Shoshit në ekspozitën e tij personale që është hapur të enjten në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Shoshi, i cili mund të konsiderohet si njëri prej përfaqësuesve më të denjë të pikturës së realizmit socialist, veçohet për portrete të personaliteteve të ndryshme. Dedë Gjo Luli, Pashko Vasa, Shefqet Musarai janë disa prej figurave që portretizohen nga Shoshi, i lindur më 1939. Aty është edhe Enver Hoxha, i punuar me gjelpërë të thatë në letër më 1973.
Por, pos figurave historike, në tablotë e vizatimet e tij zënë vend edhe portrete të njerëzve të thjeshtë. Dominojnë ato të klasës punëtore që në Shqipërinë komuniste kjo shtresë shoqërore për të cilën bëhej alamet propagande. E Shoshi i ka mbetur besnik stilit realist edhe pas rënies së komunizmit.
Në ekspozitën e hapur në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë, Shoshi prezantohet edhe me peizazhe e tablo ku paraqiten uzinat e hidrocentralet e kohës. Qartësisht një punim dallon nga të tjerët: ai i gjyshes së tij i punuar më 1956. U ngjan shumë portreteve të artistit holandez të shekullit XVII, Rembrandt Harmenszoon van Rijn (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).