Portieri i Australisë tregohet i vëmendshëm – Ia largon portierit të Perusë shishen me instruksionet e gjuajtjes së penalltive
Portieri i Australisë, Andrew Redmayne u bë hero i Australisë pas penalltive, të cilat ua mundësuan “Kangurëve” të kualifikohen në Kampionat Botëror.
Por, tifozët kanë zbuluar se kjo nuk ishte e tëra që e kishte bërë portieri hero për ta mposhtur Perunë 5:4 në penallti, pasi loja e rregullt dhe vazhdimet përfunduan baras, 0:0.
Redmayne u inkuadrua në lojë si zëvendësues në minutat shtesë të kohës shtesë dhe impakti i tij ishte menjëherë evident, shkruan “Gazeta Express”.
Ai vallëzoi dhe kërceu lartë gjatë gjuajtjes së penalltive për t’i shpërqendruar kundërshtarët dhe kjo metodë i solli sukses.
Sidoqoftë, ajo që nuk u vërejt gjatë lojës ishte vërtet një ide spektakolare.
Portieri i Sydney FC e bëri mrekullinë edhe jashtë portës së tij.
Ai në fakt e largoi nga porta një shishe gjatë gjuajtjes së penalltive.
Në këtë shishe, e cila ishte për portierin e Perusë, Pedro Gallese ishte shënuar krahu se ku do të gjuanin secili prej lojtarëve australianë.
Këtë analizë, peruanët e kishin bërë duke e shikuar të kaluarën e gjuajtjeve të australianëve dhe “spiunazhit” që u ishte bërë atyre në stërvitje, shkruan “Gazeta Express”.
Portierët shpesh marrin informata se ku do të gjuajnë lojtarët kundërshtarë, duke bazuar në përgatitjet para-ndeshjeve.
Por, Redmayne ia prishi llogaritë portierit të Perusë dhe në fund Australia fitoi dhe shkoi në “Katar 2022”.