Politikat identitare kanë dalë doresh

Politikat identitare kanë dalë doresh

Dikur, ne kishim dallime filozofike e ideologjike. Dikur, politikë ishte debati midis konservativëve dhe liberalëve, midis pikëpamjeve të ndryshme mbi qeverinë, pikëpamjeve të ndryshme mbi vlerat dhe rolin e Amerikës në botë.

 

Por sivjet, duket se, gjithçka është zhveshur deri në asht. Politika është e ndarë midis vijave të vrazhda identitare – midis racës dhe klasës. A jeni ju një vendali, apo një i huaj, autsajder, “ausllander”? A jeni nga populli apo nga elita?

 

Politika nuk ka të bëj më, me argumentet apo diskutimet; ka të bëj me tendencën për t’i vënë kundërshtarët tuaj brenda kutisë së të paprekshmëve.

 

Trumpi nuk e shpiku këtë lojë, ai e mishëron atë. Këshilluesit e tij provuan ta mbulonin me njëfarë pjekurie. Por ai s’mund të jetë i pasinqertë.

 

Nga fjalimi i imigracionit ai iu kthye klasës dhe racës, të cilat e kanë definuar fushatën e tij: qeveria amerikane është e mbërthyer nga një oligarki të pasurish që shfytyrojnë gjithçka për përfitimet e tyre; që amerikanët janë të rrethuar nga të huajt, që iu marrin punët dhe iu kërcënojnë jetët.

 

Nuk është se këto dy ide janë plotësisht gabim. Të pasurit, me të vërtetë, kanë më shumë ndikim dhe ka disa të huaj që kanë për qëllim të na lëndojnë. Puna është se, Trumpi (si do luftëtarë tjerë race e klase) i merr do kokrra vërtetësie dhe i bën gënjeshtra.

 

Trumpi argumenton se imigracioni ka mbjellë kaos në lagjet e klasës së mesme. Kjo është e pavërtetë. Hulumtimet tregojnë se vala e fundit e emigrantëve i ka bërë rrugët e Amerikës më të sigurta. Kjo sepse, të huajt kanë më pak gjasa të kryejnë krime të dhunshme. Sipas një studimi, vetëm 2 ose 3 përqind e meksikanëve, guatemaljanëve ose salvadorjanëve të ardhur në amerikë pa diplomë të shkollës së mesme përfundojnë në burg krahasuar me 11 përqindshin e amerikanëve.

 

Trumpi thotë se imigrantët po i marrin punët e punëtorëve nativë amerikanë. Por edhe kjo është e pasaktë. Është një debat i ndërlikuar ndërmjet ekonomistëve lidhur me këtë, por nëse e vështroni gjithë literaturën për temën, do të gjeni se shumica e hulumtimeve tregojnë se imigrantët kanë tepër pak ndikim në pagën ose shkallën e papunësisë së vendalive.

 

Kjo për shkak se imigrantët shkojnë në lloje të ndryshme të punëve ku nuk kërkohet kualifikim. Imigrantët e pakualifikuar bëhen shërbyes, kuzhinierë apo bujq – punë ku kërkohet më pak njohje e gjuhës angleze. Nativët e pakualifikuar bëhen arkëtar dhe taksistë. Nëse imigrantët po i ulin pagat, atëherë këtë e bëjnë kryesisht ndaj imigrantëve tjerë.

 

Trumpi pretendon se të pasurit janë ata që përfitojnë nga imigracioni përderisa të gjithë të tjerët, vuajnë. Doktorët marrin kujdestare më të lira, askush tjetër nuk merr asgjë.

Edhe kjo është e pasaktë. Fakti është se shumica e amerikanëve përfitojnë. Një studim nga Xhon Mekllarën (McLaren) dhe Gillhun Hong (Hong) tregon që secili imigrant i ri ka prodhuar 1,2 punë të reja, për shkak se imigrantët janë prodhues dhe konsumues që ndikon në ngritjen e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik.

 

Një raport tjetër tregon se imigrantët e kanë hapur 28 përqindshin e bizneseve të reja më 2011.

 

Qytetet që kanë një gjendje të mirë ekonomike punojnë shumë që t’i tërheqin imigrantët e rinjë sepse përfitimet janë të mëdha.

 

Politikat identitare e shtrembërojnë politikën në dy mënyra. E para, është Manikeiste. Qartësisht e ndan botën në dy forca të kundërta, të dritës dhe territ. Ju jeni ose punëtor ose elitë. Ose amerikan ose i huaj.

 

Duke e parë në këtë formë është e kuptueshme që jeni i frikësuar, por poashtu është shenjë e njëfarë llastie intelektuale. Realiteti është që njerëzit nuk mund të rrudhen në një rrëfim të vetëm. Një çështje komplekse si imigracioni nuk mund të skicohet si karikaturë. Është njëherësh e vërtetë që imigracioni e ka rritur dinamizmin amerikan dhe që përzirja e turmës së pakualifikuar të imigrantëve dhe ekonomive “high-tech” kërcënon të krijojë një nënklasë të përhershme.

 

E dyta dhe më e rëndësishmja, politikat identitare janë në thelb politika të ndarjes. Por në shumë çështje – imigracioni ose ekonomia ose siguria kombëtare – ne ngritemi dhe biem bashkë. Imigracioni, edhe si një sasi e imigracionit ilegal, e ndihmon shumicën e amerikanëve. Një ekonomi që rritet me 3 përqind, do të ndihmonte të gjithë amerikanët.

 

Politikat identitare, të praktikuara nga Trump, por poashtu nga të tjerë të së majtës dhe së djathtës, s’na lënë të shohim realitetin që na thotë se ne jemi një komb. Ato e prishin sensin e solidaritetit. Ushqejnë dyshime, cinizëm dhe mosbesim.

 

Qeniet njerëzore janë shumë të ndërlikuara për t’u definuar nga ngjyra e lëkurës, të ardhurat apo statusi qytetar. Ata që provojnë të reduktojnë politikën në këto identitete e dhunojnë realisht jetën e kombit.

 

Shpërndaje në: