Politika e rrugës, si e vetmja rrugë
Nga ky këndvështrim, protestat janë instrumente joformale për opozitën. Ato përdoren përgjithësisht nga entitete jopartiake, të cilat nuk janë prezent në institucionet e debatit politik, siç është p.sh. Parlamenti. Duke dalë në rrugë, opozita tregon se ka hequr dorë nga mjetet institucionale për realizimin e kërkesave të saj. Por, a është legjitim ky veprim në kushtet ku ndodhemi sot?
Realiteti tregon se këto mjete ligjore tashmë nuk funksionojnë dhe se kemi një shtrirje të frikshme të kontrollit qeveritar në çdo institucion e madje në çdo hapësirë të veprimtarisë politike, shoqërore dhe ekonomike. Kjo situatë e bën të pamundur funksionimin e debatit politik, duke e shtyrë opozitën dhe çdo faktor tjetër të kërkojë rrugë të tjera për normalizimin e jetës politike.
Në radhë të parë, qeveria ka rritur në mënyrë flagrante pushtetin brenda parlamentit, duke trafikuar vota në llogari të saj. Nëpërmjet ofertave korruptive ajo ka rekrutuar deputetë si dhe forca politike, të cilët kanë hyrë në parlament si opozitë dhe kanë vazhduar si pushtetarë. Kjo e ka nxjerrë jashtë funksionimi jetën parlamentare, duke i dhënë Kryeministrit mjetet e nevojshme për të dominuar plotësisht institucionin themelor të shtetit.
Më tej, qeveria ka shtrirë dominimin e saj kudo. Ajo ushtron kontroll thuajse të plotë mbi shoqërinë civile, mbi shtypin e lirë, mbi biznesin, e tashmë së fundmi po tenton të shtijë në dorë edhe gjykatat, ndërsa me mbarimin e mandatit, shumë shpejt pritet që edhe Presidenti i Republikës të zgjidhet prej saj. Në të tilla kushte, askush nuk mund të shpresojë se ajo do të ketë vullnetin të garantojë zgjedhje të lira e rregulla loje të barabarta për të gjithë.
Jo vetëm kaq, por duart e qeverisë kanë shkuar shumë larg. Ajo ka monopolizuar tashmë, jo vetëm institucionet, mediat, shoqërinë civile dhe biznesin, por është shtrirë këmbëkryq edhe në botën e krimit. Përkrahja që ajo i ka dhënë kultivimit dhe trafikimit të hashashit është tashmë në nivele të frikshme, ndërsa prej kohësh shohim flirtet e saj me individë të njohur si subjekt të krimit. Jo vetëm skandalet e shumta që tregojnë për lidhje politikanësh me njerëz me precedentë penalë, por edhe vetë kandidimi i tyre në poste të rëndësishme politike si Parlamenti apo të pushtetit lokal, janë tregues të një realiteti alarmant. Shtoji kësaj edhe lirimin nga burgu të një sërë individësh nga më famëkeqët për bëmat e tyre në botën e krimit, situata bëhet dëshpëruese.
Përfshirja e të fortëve në zgjedhjet elektorale ka qenë sistematike, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit. Kërcënime, presione, njerëz të armatosur, madje edhe raste viktimash të përplasjeve me armë, kanë qenë shoqërues të pandashëm të proceseve zgjedhore në vend. Duke mbajtur parasysh edhe shtimin e jashtëzakonshëm të blerjes së votës vitet e fundit, gjithçka premton për një proces elektoral të destinuar që në krye për të qenë një farsë.
Kjo duket qartë edhe nga vetë sjellja politike e palëve në pushtet dhe lufta e tyre për kuotimin që do të kenë në koalicion. Pazaret dhe intrigat e brendshme, në një konflikt të trefishtë midis PS, LSI dhe PDIU, ku Rama po luan për të ulur kreditet e secilit duke i vënë kundër njëri-tjetrit aleatët e tij, tregon se zgjedhjet nuk ofrojnë asnjë prognozë të mirë. Duket se Kryeministri nuk e ka aspak në hesap vullnetin e popullit, por kërkon të optimizojë kostot dhe përfitimet brenda koalicionit.
Fakti që LSI ka kohë që bën presion për largimin e Saimir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm tregon se ajo percepton qartë se qeveria ka në skenar përdorimin e Policisë së Shtetit në ruajtjen e monopolit të saj për transformimin e votës. E megjithatë, aq i fortë është ky presion, sa LSI mbetet e detyruar të qëndrojë peng në një koalicion ku partneri kryesor ka marrë angazhim ta asgjësojë. Duke qenë brenda koalicionit, Meta shpreson të minimizojë dëmet, si rrugë të vetme për të mbijetuar.
Në një situatë ku pakënaqësitë ndaj qeverisë janë në zenitin e tyre, ku varfëria është rritur si asnjëherë, ku e ardhmja për qytetarët është më e zymtë se kurrë, ndërsa premtimet e saj për vepra të mëdha e reforma nuk ekzaltojnë më as mbështetësit e saj më të verbër, pushtetarët thellojnë gjithnjë e më shumë arrogancën dhe cinizmin e tyre të pashqetësuar nga indinjata popullore. Duket se vullneti i popullit nuk është diçka që i trazon aspak, gjë që tregon se e kanë menduar një zgjidhje për të.
Në këto kushte për opozitën do të ishte vetëvrasje të qëndronte duarkryq, duke mbetur në institucionet shterpe të nxjerra jashtë përdorimi prej pushtetit. Rruga mbetet i vetmi mjet për të rihyrë në politikë, teksa ajo është bërë tashmë joinstitucionale nga vetë qeveria. Mbetet tashmë në dorën e qytetarëve, të vendosin nëse do të kenë vullnetin e duhur për t’u imponuar përballë arrogancës së pushtetit dhe kapjes së shtetit nga interesa private korruptive, e tashmë edhe kriminale. Fillimi u duk mjaft pozitiv. Mbetet të shohim vazhdimin.
*sociolog