Politika e jashtme amerikane dhe e majta që mungon
PRINCETON – Kini parasysh katastrofën e politikës së jashtme amerikane nën Presidentin Donald Trump. Ndërsa presidenti e kaloi vitin e parë duke u sharë me diktatorin e Koresë së Veriut, ky vend ka lëvizur me shpejtësi në programin e saj nuklear, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë lëvizur më afër një lufte që askush nuk e dëshiron.
Në Siri në prillin e kaluar, forcat amerikane i kanë sulmuar instalimet qeveritare me një sulm të njëhershëm bombardues, pa asnjë përpjekje politike apo diplomatike, dhe kësisoj duke mos arritur asgjë. Ngjashëm, pas armatosjes së militarëve kurdë që të luftonin ISIS-in në emrin e tyre, Shtetet e Bashkuara iu kanë qëndruar prapa dhe i kanë shikuar sulmet turke ndaj po të njëjtëve burra e gra.
Si rezultat i tërheqjes së administratës së Trumpit të kufizimeve që ishin vënë në epokën e Obamas për përdorimin e forcave ajrore, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara çoi në një ‘fitore’ në Mosul, Irak, duke shkaktuar mijëra viktima civile të pafajshme dhe duke lënë një grumbull të madh rrënojash. Si në Vjetnam, Amerikës iu desh të shkatërronte qytetin në mënyrë që ta shpëtonte atë.
Në ndërkohë, administrata ka vendosur mijëra trupa amerikane në Afganistan, por pa u brengosur në hartimin e një strategjie politike që të dilnin nga qorrsokaku i atjeshëm.
Nën Trumpin, Shtetet e Bashkuara poashtu janë bërë një mbështetës shumë i fortë i regjimeve autoritare, nga Arabia Saudite e deri në Filipine. Dhe në Evropë, liderët e të djathtës ekstreme në Poloni dhe Hungari po ecin me padurim në të njëjtat hapa si Trumpi – nëse jo një ose dy hapa përpara tij.
Në Izrael, Shtetet e Bashkuara efektivisht e kanë lidhur veten me lëvizjen e të vendosurve dhe me qeverinë e së djathtës ekstreme, duke i dalë kundër kësisoj ëndrrës së zionistëve të vjetër për një “Izrael të vogël.” Në fakt, në udhëtimin e tij të fundit në Izrael, zëvendës Presidenti Mike Pence refuzoi madje edhe t’i fliste liderit të partisë opozitare të Punës.
Shtetet e Bashkuara i kanë tjetërsuar disa nga aleatët më të afërt, e kanë dobësuar aleancën e NATO-s, dhe prania e tyre në skenën botërore është ksenofobike dhe fanatike. Si duhet të reagojnë liberalët dhe të majtët?
Ne të majtët kundërshtojmë gjithçka që Trumpi ka thënë apo ka bërë. E megjithatë, asnjë prej nesh nuk ka ofruar një alternativë të kënaqshme dhe koherente. Ne madje as që kemi folur për politikën e jashtme, aspak, ose vetëm e kemi kundërshtuar thjesht çdo përdorim force gjithandej, duke shkuar drejt një versioni tjetër të izolacionizmit.
Por izolacionizmi është vetëm një mënyrë tjetër për të mos pasur fare politikë të jashtme. Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, e bëri fushatën në mënyrë shumë të fortë dhe efektive më 2016 duke adresuar çështje të brendshme. Por, edhe pse po garonte për t’u bërë presidenti i një hegjemonie globale, ai nuk kishte asgjë për të thënë për politikën ndërkombëtare.
E para dhe kryesorja, e majta duhet të mendojë seriozisht rreth përdorimit të forcës, e cila është çështja qëndrore në debatet e politikës së jashtme. Është e drejtë të përdorësh forcën për vetëmbrojtje ose në mbrojtje të të tjerëve. Është gabim kur e përdoret për ndërrim regjimesh, në mbështetje të qeverive autoritare, ose kundër lëvizjeve kombëtare që e kanë fituar betejën për “zemrat dhe mendjet” e njerëzve të tyre.
Një tjetër pyetje fundamentale që shqetëson është edhe ajo sesi duhet përdorur forcën. Por kjo është e kollajshme: duhet të përdoret me kufizime të përcaktuara për të minimizuar vdekjet e qytetarëve të pafajshëm. Nuk ka pyetje të zorshme, por kur i marrim seriozisht, mund të çojnë në pozicione politike shumë komplekse.
Për shembull, Shtetet e Bashkuara e kishin gabim kur e pushtuan Irakun në vitin 2003, por e kishin mirë kur u bashkuan në luftën kundër ISIS-it, dhe të shpëtonin jazidët nga një masakër. Ishte e drejtë të sulmoje qytetin e okupuar të Mosulit, por ishte gabim që të ktheje gjithë qytetin në pluhur.
Ishte poashtu gabim që të provohej rrëzimi i presidentit sirian Bashar al-Assad, sepse forcat që e kundërshtonin Assadin kishin mungesë të mbështetjes së mjaftueshme popullore, dhe ShBA-ja nuk ishte e gatshme t’iu ndihmonte atyre që ta fitonin atë mbështetje. Në anën tjetër, duke ndihmuar kurdët sirianë Amerika bëri gjë të mirë, sepse ata ishin luftues efektivë me mbështetje të fortë nga njerëzit e tyre; dhe ata ndoshta kurrë nuk do të kishin shpëtuar nën kalifatin e ISIS-it.
Është poashtu e drejtë që të forcohen mbrojtjet e Koresë së Veriut dhe Japonisë, por padyshim është gabim të kërcënosh me luftë nukleare. Armët nukleare nuk mund t’i shërbejnë qëllimeve njerëzore. Por nuk ka të vërtetë për të gjitha armët, dhe e majta duhet të pajtohet me një gjë të tillë. Nuk mund të jemi pacifistë kur njerëzit gjithandej botës jetojnë me frikë nga vrasjet masive shkaku që i përkasin një grupi të caktuar etnik apo religjioz, ose që besojnë në ideologjinë “e gabuar”, ose që jetojnë në vende të dobëta përkrah fuqive revanshiste.
Në kulmin e Luftës së Ftohtë, shumë të majtë e kanë kundërshtuar NATO-n. Dhe në vitet e fundit, politikanë si Jeremy Corbyn [shën.i përkthyesit: kreu i Partisë Laboriste në Mbretërinë e Bashkuar], para se të bëhej lider partie, ka mbështetur tërheqjen e vendit të tij nga aleanca, pikërisht sepse përkushtohet në përdorimin e forcës si mjet për mbrojtjen e përbashkët.
Ky angazhim që fillin e kishte te mbrojtja ndaj Bashkimit Sovjetik, tash është i drejtuar kundër Rusisë së Vladimir Putinit. Të majtët amerikanë duhet të trajtojnë situatën duke vënë në pyetje të majtët në Poloni, Lituani ose Ukrainë, ku tensionet janë të larta. Do të hamendesha që shumë prej majtistëve të Evropës Lindore janë mbështetës të Nato-s, dhe do të doja një Amerikë që e mbështet aleancën, poashtu. Nuk duhet gjithnjë të bëjmë atë që dëshirojnë miqtë tanë të bëjmë, por gjithnjë duhet t’i dëgjojmë.
Parimi i vjetër i ideologjisë majtiste thotë që vendet hegjemonike kapitaliste si Shtetet e Bashkuara kurrë nuk mund të sillen mirë në botë. Por kjo është gabim. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mposhtjen e Gjermanisë naziste dhe të Bashkimit Sovjetik, dy nga regjimet më brutale në historinë botërore.
Në fakt, Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë gjëra të mira për botën, dhe ndonjëherë edhe i bëjnë. Të majtët amerikanë duhet të kërkojnë që vendi i tyre të sillet mirë, dhe ne duhet të kundërshtojmë kur vepron keq. Por nuk mund të kërkojmë ose të kundërshtojmë çdo gjë derisa të formësojmë një pikëpamje koherente në politikën ndërkombëtare.
Përktheu nga Project Syndicate, Periskopi |