“Policimi” dhe politizimi i Kosovës në Shqipëri
Shkruan: Mero Baze
Ka dy tendenca të dëmshme në raportet politike mes Shqipërisë dhe Kosovës për krizën e fundit.
Një tendencë është “policimi” I Edi Ramës dhe përpjekja për të demonizuar dhe keqpërdorur çdo fjalë dhe lëvizje diplomatike të tij, deri në bezdi.
Kur ngre zërin në Këshill të Sigurimit I thonë e teprove se nuk I takon Shqipërisë të bëj fletërrufe Rusisë, kur bën thirrje të mbështetet politika e Perëndimit për Kosovën, I thonë I shitur tek Boreli e Lajçaku, kur sulmon Borelin dhe nuk linjëzohet me Evropën I thonë po dëmton Kosovën, kur thotë të shtohet prania e NATO përmes KFOR në Kosovë I thonë po I shërben Vuçiqit, edhe pse vet të gjithë gëzohen nga lajmet se NATO po shton trupa në Kosovë.
Është thjeshtë një përpjekje për të gjetur një armik të brendshëm mundësisht si armik të Albin Kurtit për ta paraqitur atë si një lundërtar “Mes Shillës dhe Karibdës”. Kjo tendencë në fakt është përpjekja më serioze e Serbisë për të dëmtuar faktorin shqiptar. Politika antiperëndimore dy vjeçare e Albin Kurtit trimëroi Serbinë dhe e inkurajoi atë të kryej një akti të paprecedent sulmi kundër sovranitetit të Kosovës.
Kaq është merita e vetme e Albin Kurtit. Tani ata që po i dalin zot Kosovës, janë pikërisht armiqtë e Albin Kurtit, SHBA dhe BE.
E pata thënë dikur një vit më parë në një intervistë për shtypin në Kosovë, kur Albin Kurti ishte në ekstazë kundër SHBA, se ai po ndjell Serbinë në Kosovë, si ai qeni i keq që ta sjell ujkun në stan. Dhe ja doli. Por për fat SHBA dhe BE po qëndrojnë në krah të Kosovës duke injoruar luftën e tij kundër tyre.
Nga ana tjetër në Shqipëri ka një traditë të ndyrë të politizimit dhe keqpërdorimit të Kosovës për kapital politik pa pyetur fare nëse e dëmtojnë apo ndihmojnë Kosovën.
Sa herë shfaqen kriza të tilla, Shqipëria ose është në kaos me problemet e veta, ose secili shpik nga një qëndrim që I duket patriotik dhe I tjetrit tradhtar.
Nëse kthehemi pas në kohë dhe shikojmë ngjarjet e vitit 1998 1999 Shqipëria ka të njëjtën sjellje. Sali Berisha më një anë me çetën e vet që kundërshtonin çdo gjë që rekomandonte Perëndimi për Kosovën, përfshi Konferencën e Rambujes dhe Fatos Nano nga ana tjetër që donte të konkurronte me ide me Perëndimin se si mund të zgjidhej çështja e Kosovës, ndërkohë që Kosova kish rrëmbyer armët dhe po e zgjidhte bashkë me Perëndimin çështjen e saj.
Tani secili grup parlamentar do nga një rezolutë jo që të dënoj Serbinë, por që ti ngrejë nervat palës tjetër, ta quaj atë tradhtar e veten patriot. Kështu bën Berisha, kështu bën Lulzim Basha kështu bën dhe Partia Socialiste. Pastaj bëhen dy kundër njërit, një kundër treve, tre kundër dyve dhe vazhdojnë përleshjen kush është patriot e kush tradhtar.
Parlamenti I Shqipërisë, është institucioni që përfaqëson legjitimitetin e popullit shqiptar dhe ai ka gjithnjë qëndrime më të avancuara se politika zyrtare apo qëndrimet ekzekutive të diplomacisë shqiptare që janë të detyrueshme të jenë në një gjatësi vale me SHBA dhe BE.
Ministri I jashtëm I Shqipërisë dhe Kryeministri natyrisht që duhet të kenë një gjuhë më diplomatike dhe më të rakorduar me perëndimin për Kosovën, por parlamenti I Shqipërisë nuk ka përse ta kthej çështjen e Kosovës në një çështje përleshjesh mes “patriotëve” si Berisha e Meta e “tradhtareve” si Rama.
Parlamenti I Shqipërisë duhet të mbështes qëndrimet konsesuale të Kosovës. Jo qëndrimet antiperëndimore të Albin Kurti, sa herë çmendet e sulmon SHBA e BE, as të atyre që duan të përfitojnë nga situata momentale në Kosovë.
Ata që thonë se nuk duhet ta mbështesim Kosovën dhe kur udhëheqja e saj çmendet, në fakt thjesht mund të jenë çmendur vet. Ne duhet të mbështesim në çdo kohë dhe në çdo rast Kosovën dhe jo udhëheqësit e saj me axhenda personale, që mund të çmenden dhe rrezikojnë ekzistencën e Kosovës me kursin e tyre antiperëndimor.
Shqipëriae ka në strategjinë e saj të sigurisë kombëtare se kombi shqiptar e bazon sigurinë e tij kombëtare bazuar në aleancën me Perëndimin, në garancinë e demokracisë dhe anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Nuk kemi ndonjë klauzolë që garantojmë sigurinë tonë kombëtare duke dal kaçak në mal kundër SHBA dhe BE.
Ndaj ne duhet të mbështesim politikën konsesuale të Kosovës pro perëndimit dhe jo lajthitjet e njërit apo tjetrit mitoman në Kosovë.
I vetmi qëndrim konsesual I Kosovës ndaj krizës së tanishme është Rezoluta e Parlamentit të Kosovës për sulmin terrorist në Veri të Kosovës. Ajo u mbështet dhe nga opozita dhe nga qeveria.
Këtë gjë Kuvendi I Shqipërisë e ka bërë në korrik të vitit 1991 kur ka mbështetur Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, duke pajtuar Haxhi Lleshin me Abdi Baletën, dhe po ashtu në Maj të vitit 1992 kur ka njohur publikisht Republikën e Kosovës dhe ka pranuar përfaqësi formale të saj në Tiranë. Kjo nuk e ka penguar qeverinë shqiptare të Berishës Nanos Metës e Majkos të sillen ndryshe zyrtarisht me Republikën e Kosovës, por ama parlamenti e ka bërë punën e tij.
Edhe në këtë rast jemi para kësaj situate. Parlamenti I Shqipërisë nuk ka nevojë të bëj garë patriotike, por të bëj një rezolutë me një paragrafë ku thuhet se “Ne Kuvendi I Shqipërisë mbështesim plotësisht rezolutën e Kuvendit të Kosovës për situatën në Veri të Kosovës”.
Dhe më poshtë rimarrin rezolutën e Kuvendit të Kosovës.
Kjo është legjitime dhe nuk është luftë politike. Çdo gjë tjetër është një gjë e pistë, e ndyrë që nuk ka lidhej fare as me Kosovën dhe as me dashurinë për të, por me një gjell qensh, servirur nga ata që e kanë përdorur Kosovën këto 30 vjet si plaçkë tregu për pushtetin në Shqipëri.