“Policia serbe do të jetë gati për Granit Xhakën, ai s’duhet të dalë në qytet”
Predrag Mihailovic, kryeredaktor i portalit “Sportal.rs” në Beograd ka folur rreth situatës së sigurisë në këtë vend para ndeshjes mes Bjellorusisë dhe Zvicrës, e cila do të luhet të shtunën në Novi Sad.
Në fakt, edhe pse është një aktivitet sportiv, çështjet politike mund të ndikojnë në atmosferën sportive.
Kjo pasi në ekipin kombëtar të Zvicrës luajnë disa futbollistë me rrënjë shqiptare, por vetëm njëri prej tyre do të jetë prezent në Serbi.
Bëhet fjalë për Granit Xhakën, ndërsa Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri do të mungojnë në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024 shkaku i lëndimit.
Natyrisht, Xhaka është mjaft i urryer në Serbi pas dy përballjeve që i pati Zvicra me serbët në dy Kampionate Botërore, e ku protagonist ishte pikërisht futbollisti kosovar.
Sidoqoftë, Federata Serbe e Futbollit ka garantuar siguri jashtë stadiumit, pasi në stadium nuk do të ketë tifozë.
“Njerëzit i shohin ende Xhakën dhe Shaqirin si persona që i provokojnë lojtarët serbë”, deklaroi Mihailovic për mediumin zviceran “Blick”.
“Xhaka dhe Shaqiri nuk janë veç futbollistë, por janë parë edhe si figura politike pasi tashmë i kanë shfaqur bindjet e tyre politike”, shtoi ai.
Xhaka kishte shënuar gol në fitoren 2:1 ndaj Serbisë dhe kishte festuar me shqiponjë në Botërorin “Russia 2018”, kurse në “Katar 2022” ai e kishte shfaqur fanellën “Jashari” pas fitores, në një ndeshje të tensionuar mes tij dhe lojtarëve serbë.
Xhaka ishte akuzuar për provokim nga serbët, por që gazetari serb nuk sheh ndonjë rrezik për futbollistin kosovar në tokën e tyre.
“Vështirë që dikush në Serbi e di se ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës do të luhet këtu.”
Ndër të tjera, shton ai, Novi Sadi është njëri prej qyteteve më paqësore në Serbi.
“Njerëz nga 15 nacionalitete jetojnë në këtë qytet. Shumica prej tyre nga Hungaria, Rumania, Sllovakia dhe të tjerë jetojnë së bashku me serbët me dekada”, thotë Mihailovic, i cili megjithatë e këshillon Xhakën të mos dalë në rrugët e qytetit.
“Ai natyrisht se nuk është i mirëpritur këtu dhe s’duhet të dalë në qytet. Sidoqoftë, për çdo rast, policia serbe do të jetë e gatshme”, përfundoi gazetari sportiv serb.
Kombëtarja e Zvicrës do ta zhvillojë ndeshjen kualifikuese të Euro 2024 me Bjellorusinë në Serbi.
Kjo ishte zgjedhja e bjellorusëve, të cilët nuk kanë të drejt të luajnë në territorin e tyre pas përfshirjes së tyre indirekte në luftën e Rusisë në Ukrainë.