Incidentet dhe sulmet e fundit kriminale: Policia rrit masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë edhe veriun

Incidentet dhe sulmet e fundit kriminale: Policia rrit masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë edhe veriun

Policia e Kosovës të premten ka njoftuar se ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë veriun ku ditëve të fundit pati dy incidente në Zveçan.

Sipas njoftimit, rritja e sigurisë po bëhet për të parandaluar incidentet e natyrave të ndryshme.

“Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.

Planifikimet operative policore, siç thotë njoftimi, do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.

“Policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”, vijon njoftimit.

Qëllimi i këtyre operacioneve, Policia ka thënë se do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale.

Tutje, Policia ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në informacionet që vlejnë për rritjen e sigurisë në të gjithë vendin.

Shpërndaje në: