Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vrasjen në Gjilan
Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e dy të dyshuarve për vrasjen e një 37 vjeçari sot në qytetin e Gjilanit.
Valmir Salihu (1998) i njohur me nofkën “TITA” dhe Florian Mitev (1998) të cilët janë identifikuar si të dyshuar për vrasjen e 37 vjeçarit në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”.
Ndërkohë, Policia ende nuk i di motivet që çuan në vrasjen e të riut.
Gjatë ditës zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha se 37-vjeçari është gjetur i shtrirë në rrugë.
Hashani tha se nga hetimet e para dyshohet se ky i fundit është qëlluar me armë zjarri dhe se ekipa nga emergjenca e spitalit të Gjilanit, ka konstatuar vdekjen e tij.
“Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ‘Mërgimtarët e Gjilanit’ në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri”, thuhet në përgjigjen e Hashanit.
Po ashtu, ai tha se në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rasti.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, deklaroi Hashani.
Lidhur me vrasjen e 37 vjeçarit është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka njoftuar se se gjatë ditës së sotme, më datë 7 nëntor 2024, në rrugën ‘’Mërgimtarët e Gjilanit’’, në Gjilan, rreth orës 14h, një person është gjetur pa shenja jete.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe njësitet tjera relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri dhe me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.