Policia në Ferizaj: Trupi i pajetë i 37 vjeçarit u gjet në malet mes fshatit Zaskok dhe Manastirc, ishte larguar nga shtëpia 2 javë më parë
Policia në Ferizaj ka lëshuar një komunikatë për rastin e vrasjes së Bekim Varit.
Në komunikatë thuhet se Vari ishte raportuar i zhdukur nga familja më 29 janar, ndërsa ai ishte larguar nga shtëpia më 22 janar rreth orës 17:00.
Sot rreth orës 12:00, në malet në mes të fshatrave Zaskok dhe Manastirc të Ferizajt, është gjetur trupi i pajetë i Varit dhe vdekja e tij është konstatuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt.
Policia njofton se është arrestuar i dyshuari L. F. (M/K), 30 vjeç.
“Ai është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonalë, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.”
Komunikata e plotë:
Arrestohet një person në Ferizaj, i dyshuar për “Vrasje të rëndë” në lidhje me rastin e një personi të raportuar të zhdukur
Më 29.01.2025, familjarët raportuan në Policinë Rajonale të Ferizajt se B. V., i lindur në vitin 1987, ishte larguar nga shtëpia më 22.01.2025 rreth orës 17:00, në fshatin Pleshinë e Ulët, dhe që nga ajo kohë nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tij.
Policia Rajonale e Ferizaj / hetuesit rajonalë ndërmorën kërkime dhe hetime të vazhdueshme, duke kërkuar gjithashtu ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmonte në gjetjen e tij.
Më 05.02.2025, rreth orës 12:00, në malet në mes të fshatrave Zaskok dhe Manastirc të Ferizajt, është gjetur një trup i pajetë, ku dyshohet së është i B. V. Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt.
Pas veprimeve të hetuesve dhe ekspertëve krim-teknikë në vendin e ngjarjes, prokurori i rastit ka urdhëruar dërgimin e trupit për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Bazuar në hetimet e zhvilluara, informacionet e siguruara dhe provat e mbledhura, hetuesit rajonalë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin L. F. (M/K), 30 vjeç. Ai është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonalë, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.
Policia Rajonale e Ferizajt do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet dhe epilogun e kësaj ngjarjeje.