Policia në Durrës sekuestron 670 mijë litra naftë të kontrabanduara nga Tunizia
Policia e Shtetit në Durrës ka sekuestruar mbi 670 mijë litra naftë që dyshohet se është kontrabanduar nga Tunizia.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook thuhet se është sekuestruar edhe anija me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin.
Ndër tjera thuhet se janë arrestuar edhe tre shtetas të Shqipërisë, dhe janë lënë të lirë pesë persona që janë shqiptarë dhe të huaj, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Hetimet profesionale dhe të shpejta identifikojnë 2 organizatorët e këtij rasti. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
“Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër”, thuhet në njoftim.
Nga kontrolle në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjet nafta e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.