Policia konfiskon mbi 40 paketime me substancë narkotike, para dhe armë zjarri
Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 40 paketime me substanca narkotike, që dyshohet të jenë kokainë, para dhe një armë zjarri. Ky operacion është realizuar të mërkurën nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik.
Në njoftimin për media thuhet se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik- Prishtinë ka realizuar një operacion policor të koduar “pesëshi” ku fillimisht në Prishtinë është ndaluar një veturë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar.
“Gjatë kontrollit të tij, në trup i janë gjetur para të gatshme me vlerë 2790 euro, një telefon celular, ndërsa gjatë kontrollit të veturës i janë gjetur 22 paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë, e gatshme për shitje me peshë 83 gram. Lidhur me rastin njësia policore ka vazhduar në një lokacion tjetër ku aty ka ardhur edhe i dyshuari i dytë mashkull kosovar i cili në momentin që kishte vërejtur policinë ka tentuar të ikte por pas ndjekjes së tij i njëjti është ndaluar dhe arrestuar”, thuhet tutje.