Policia konfirmon mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri

Policia konfirmon mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar se i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, i ka thënë Telegrafit se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Ai tha se informacioni ka rezultuar i saktë, me ç’rast sipas tij, policia ka njoftuar prokurorin e shtetit  dhe tutje vazhdojnë sipas autorizimeve te tij.

“Pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP, se në territorin e Kosovës operojnë operator ekonomik pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK, njësi policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni.  Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast policia ka njoftuar prokurorin e shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve te tij”, ka thënë Elshani.

Një punonjës i Postës në Zveçan ka thënë për REL se zyrtarët policorë e kanë bllokuar hyrjen e objektit dhe ata nuk mund të hyjnë më aty.

Sipas tij, gjatë aksionit, zyrtarët policorë kanë kontrolluar dokumente.

Një punëtor i Postës në Mitrovicë të Veriut ka thënë se nuk ka hasur në asnjë problem gjatë aksionit policor, që policia ka qenë korrekte dhe që askush nuk është ftuar për intervistim.

Kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se institucioni që udhëheq ai, i ka njoftuar “institucionet relevante të Kosovës se Posta e Serbisë është duke operuar në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës”.

Megjithatë, ai nuk ka treguar numrin e zyrave të Postës së Serbisë që operojnë në Kosovë.

“Ne mbulojmë vetëm pjesën e domenit të shërbimeve postare, ofrimin e shërbimeve të postës, të letrave dhe pakove”, ka thënë ai.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka konsideruar aksionin si “vazhdim të planit për spastrim etnik të veriut nga çdo gjë që ka prapashtesën serbe”.

“Heqja e shërbimeve postare pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona”, është thënë në deklaratën e kësaj partie.

“Kurti thjesht po vlon nga zemërimi që pas të gjitha veprimeve antiserbe dhe shtypjes së popullit serb, serbët ende qëndrojnë sfidues në veri”, është thënë mes tjerash në deklaratë, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka konsideruar aksionin e Policisë së Kosovës si “kundërligjor” dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se kështu “provokon drejtpërdrejt një konflikt të armatosur”.

“Është e qartë se ai dëshiron të shkaktojë konflikte në terren me çdo kusht, dhe kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.

Sipas tij, aksioni policor është kryer “jashtë të gjitha marrëveshjeve” të arritura midis Kosovës dhe Serbisë dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë.

“Ekziston një shkelje brutale e marrëveshjeve dhe ky aksion i Prishtinës është kryer në kundërshtim me marrëveshjen e telekomunikacionit të vitit 2015, e cila thotë qartë se të gjitha çështjet e shërbimeve postare do të zgjidhen ekskluzivisht në kuadër të dialogut”, ka thënë mes tjerash ai.

Edhe pse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve, të dyja palët patën rënë dakord që për to të diskutohej në një fazë të mëvonshme.

Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.

Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.

Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit.

Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.

Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.

Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.

Aksioni në veri, Policia jep detaje: Janë identifikuar nëntë lokacione të cilat operonin si posta ilegale

Shpërndaje në: