Policia kap 75,000 euro të padeklaruara nga tre kosovarë në Merdar
Policia Kufitare, në bashkëpunim me Frontex, ka realizuar planin operativ ndërkombëtar “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Mobile 7” më datën 15 tetor 2024, ku gjatë kontrolleve të shtuara në pikëkalimin kufitar të Merdarit, u zbulua një sasi e madhe parash të padeklaruara.
Gjatë ndalimit dhe kontrollit të një automjeti me targa RKS, në të cilin ndodheshin tre persona kosovarë, u gjetën 75,000 euro të padeklaruara. Fillimisht, secili person mbante nga 10,000 euro, ndërsa pjesa tjetër e shumës, 45,000 euro, u gjet e fshehur në një qese plastike nën ulësen e pasme të makinës.
Paratë u sekuestruan nga Policia dhe u dorëzuan agjencisë përkatëse për procedurat e mëtejshme. Kjo kapje është një sukses në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme financiare në kufijtë e Kosovës.