Policia jep detaje për zjarrin në Brezovicë: Nuk ka të lënduar, por ka dëme të konsiderueshme materiale

Një hotel në Brezovicë është përfshirë nga zjarri sot paradite. Nga ky incident nuk ka mbetur i lënduar askush, por ka dëme të konsiderueshme materiale.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Sot rreth orës 10:15 kemi pranuar një informatë për një zjarr ku është përfshirë një restorant/hotel në Brezovicë. Ekipet e zjarrfikësve dhe policia kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Zjarrfikësit po punojnë për të lokalizuar dhe shuar zjarrin, ndërsa policia po bën sigurimin e zonës përreth. Aktualisht, nuk ka raportime për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme”, tha ai.
Ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
“Për çdo informacion shtesë, do të bëjmë njoftime në vijim”.