Policia iraniane ngatërron një grua me trajnerin kosovar, e paralajmëron të mos dalë pa mbulesë
Policia e moralit në Iran e ka ngatërruar një trajner kosovar me një grua, për shkak të flokëve të tij të gjata, duke i dërguar mesazh në telefon për gjoja shkeljen e ligjit iranian për hixhabin, pasi ishte kapur nga kamera e trafikut duke vozitur.
Shpejtim Arifi, shqiptar i Kosovës me nënshtetësi gjermane, është trajner i ekipit të juniorëve të Persepolis. Në Iran ai njihet si një golashënues i fortë gjatë kohës së tij si futbollist profesionist për Persepolis.
Arifi është shumë i njohur në Iran, kryesisht për futboll e pjesërisht për modelizëm dhe nga paraqitjet e tij në televizion.
Ai po e voziste makinën e një mikut të vet në Teheran kur telefoni i mikut e pranoi një mesazh nga policia.
“Mesazhi telefonik na tronditi në fillim, sepse më kishin ngatërruar me një grua pa hixhab. Mendoj se kamerat e trafikut më kanë fotografuar”, tha Arifi për Sports News.
“Miku im mbeti i habitur fillimisht, por pastaj qeshëm me lot. Më vonë, shumë miq më telefonuan apo dërguar mesazhe për t’u tallur me këtë incident”, shtoi ai.
Arifi shpjegoi se flokët e gjata i mban që nga mosha 18-vjeçare dhe se nuk e ka ndër mend t’i shkurtojë ato.
“Kam jetuar në Iran për shumë vjet me këtë dukje dhe kurrë nuk kam pasur telashe. Mendoj se ky ishte një keqkuptim dhe nuk mund të bëjmë asgjë për këtë”, nënvizoi ai..
Gratë që kapën duke vozitur pa hixhab përballen me dënime me gjobë, me heqje të pikëve në patentë shofer dhe me dënim me burgim deri në dy vjet më së shumti.