Policia e Kosovës rrit kapacitetet e saja me mbështetjen e SHBA-ve
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar për angazhimet e saj në fushën e trajnimeve dhe avancimeve profesionale, në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025. Një nga objektivat kryesor është ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore përmes trajnimeve brenda dhe jashtë institucionit, duke përfshirë bashkëpunimin me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj, ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme në bashkëpunim me partnerët e saj brenda dhe jashtë Kosovës. Trajnimet nuk janë ndërpre në asnjë periudhë kohore dhe vazhdojnë të realizohen edhe më tej,” tha PK në njoftimin e saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një nga përkrahësit kryesorë në ofrimin e trajnimeve për Policinë e Kosovës. Gjatë periudhës 2022-2024, janë realizuar mbi 250 trajnime për mbi 2,300 pjesëmarrës nga PK, përfshirë edhe njësitet speciale.
“Trajnimet e ofruara nga SHBA-ja janë realizuar nga agjencione si OPDAT, ICITAP, DEA, FBI dhe KFOR-i Amerikan,” u theksua më tej në njoftim.
PK ka vazhduar të nominojë zyrtarët e saj për trajnime në SHBA, duke treguar angazhimin e saj për zhvillimin e kapaciteteve profesionale. “Ne vazhdojmë të kemi bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me SHBA-në dhe Ambasadën Amerikane,” tha PK, duke theksuar investimet e bëra nga SHBA në trajnime dhe pajisje.
Në njoftim u shpreh edhe gatishmëria e PK-së për të adresuar shqetësimet që mund të kenë lindur në lidhje me fushën e sigurisë dhe rolin e saj. “PK merr me shqetësim deklaratat e Ambasadës Amerikane dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme për të eliminuar keqkuptimet dhe për të ruajtur partneritetin tonë të jashtëzakonshëm,” theksoi Policia e Kosovës.
PK është e angazhuar për transparencë dhe llogaridhënie, duke ofruar informacion dhe statistika për trajnime për opinionin dhe mediat.