Policia e Kosovës mohon pretendimet e Ministrisë serbe: Shkrimet për kalimin e vijës kufitare janë të pavërteta
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj disa shkrimeve të publikuara në media serbe, të cilat bazohen në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Në këto shkrime pretendohet se një grup i armatosur i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Në reagimin e saj zyrtar, Policia e Kosovës e ka cilësuar këtë pretendim si të pavërtetë dhe ka deklaruar se njoftimi i publikuar nga Ministria serbe përmban dezinformacione.
“Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës” , thuhet në reagimin e PK-së.
Policia e Kosovës thekson se mbetet një institucion i besueshëm dhe transparent, duke siguruar qytetarët dhe opinionin publik se do të ofrojë informacione zyrtare në çdo kohë kur ato janë të nevojshme dhe të kërkuara.