Policia arreston tre persona për mashtrim me prona në zonën kadastrale të Matit në Prishtinë
Policia ka njoftuar se sot më 1 nëntor ka kapur tre të dyshuar të përfshirë në një skemë të sofistikuar të mashtrimit me prona.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se që nga data 18 tetor 2024, specialist nga njësia rajonale e hetimeve të përgjithshme, përpunuan informacionet që sugjeronin se disa persona, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara të identifikimit, po tentonin të realizonin me mashtrim shitjen e një parcele me vlerë të lartë, në zonën kadastrale të Matit në Prishtinë.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve gjithëpërfshirëse hetimore, hetuesit policor identifikuan të dyshuarit, kohën dhe vendndodhjen e tyre të synuar për kryerjen e mashtrimit, në një zyrë noteriale në Gjilan. Kësisoj, rreth orës 11:30, policia arrestoi tre të dyshuar, (dy meshkuj dhe një femër) dhe në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit, caktoi masën e ndalimit prej 48 orësh”.
“Hetimet e mëtejshme kanë çuar në identifikimin edhe të një të dyshuari tjetër i cili aktualisht është në kërkim nga ana e policisë. Ky rast thekson përkushtimin e vazhdueshëm të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës për mbrojtjen e komunitetit nga skemat mashtruese, luftimin e veprimtarive kriminale si dhe sjelljen e të dyshuarve para drejtësisë”, thuhet në njoftim.