Policia arreston dy persona në Mitrovicë, njëri mori para për t’ia lehtësuar tjetrit kalimin e testit për vozitje
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicë, për shkak se dyshohen për dhënie/marrje ryshfeti.
Përmes raportit 24 orësh, policia ka bërë me dije se njëri nga ta në cilësi të instruktorit të vozitjes në një autoshkollë, ka pranuar para nga i dyshuari tjetër për lehtësim të kalimit të testit me shkrim.
Policia ka sekuestruar 600 euro dhe dy telefona celularë.
“Mitrovicë / 15.01.2025. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar për shkak të dyshimit se njëri prej tyre në cilësi të instruktorit të vozitjes në një autoshkollë private ka pranuar nga i dyshuari tjetër para me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim për kategorinë B të vozitjes. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 600€ (6X100) para të gatshme dhe dy telefona celularë. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje” – thuhet në raport.