Policia amerikane jep detaje për çiftin e vrarë në Florida: Gruaja e qëlloi disa herë Pajtim Krasniqin

Policia amerikane jep detaje për çiftin e vrarë në Florida: Gruaja e qëlloi disa herë Pajtim Krasniqin

Policia e Hallandalle Beach ka dhënë detaje për rastin tragjik të vdekjes së çiftit kosovar në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 26 nëntor.

Sipas policisë amerikane thuhet se e ndjera Sabrina Krasniqi e ka qëlluar me armë zjarri bashkëshortin e saj disa herë para vdekjes në bllokun 1,800 të South Ocean Drive.

“Me të mbërritur, oficerët zbuluan një skenë tragjike ku përfshiheshin burri dhe gruaja, 34-vjeçari Pajtim Krasniqi dhe 27-vjeçarja Sabrina Krasniqi, të dy të vdekur nga plagët e dukshme me armë zjarri”.

“Përmes hetimeve është konstatuar se Sabrina Krasniqi ka qëlluar për vdekje disa herë bashkëshortin e saj para se t’i merrte jetën. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre të përbashkët”, thuhet nga Polica e Hallandalle Beach për KlanKosova.tv.

Ndër tjera, nga policia në fjalë janë shprehur ngushëllime për viktimat.

“HBPD shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe më të dashurit të prekur nga kjo ngjarje zemërthyese”, thuhet nga policia amerikane.

Për rastin në fjalë ka reaguar motra e të ndjerit e cila ka thënë se vëllanë e saj e vrau gruaja e tij. Madje ajo e quan tradhti këtë akt, pasi sipas saj, i ndjeri e donte dhe i besonte aq shumë gruan e tij.

“Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, ka shkruar motra e viktimës në Facebook.

“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me pesë plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë. Të dua përgjithmonë Pajtim”, ka shkruar mes tjerash Albana Krasniqi.

Rrethanat e vrasjes ende mbesin të paqarta dhe nuk dihet motivi i këtij akti.

Shpërndaje në: