Pogba tregon për natën që u grabit: Dy persona me maska më drejtuan armët, kërkonin para
Vazhdojnë të dalin detaje rreth polemikave rreth familjes Pogba. Tani është zbuluar se çfarë u tha Paul Pogba atyre që përpiqeshin t’i merrnin parat atij.
Vëllai i tij Mathias është arrestuar dhe është lënë në paraburgim pasi dyshohet se ka dorë në këtë grabitje, shkruan Periskopi.
Le Monde tregon një deklaratë të bërë nga Paul Pogba në gusht. Futbollisti detajoi se çfarë ndodhi natën e 19 marsit, teksa po stërvitej me kombëtaren franceze në Clairefontaine.
Pas asaj stërvitje Pogba u kërcënua me armë.
Dy persona me kapuç, të veshur me jelek antiplumb dhe të armatosur rëndë, i drejtuan armët futbollistit.
“Isha i frikësuar”, kujton ai. “Të dy djemtë më drejtuan armët. Papritur, nën kërcënim e armës u thashë se do të paguaja.
“Ata bërtisnin: ‘Hesht, shiko poshtë’”, u tha Pogba hetuesve të çështjes. Në atë moment u kërkua një pagesë prej 13 milionë eurosh, tre prej tyre në para të gatshme, si pagesë mbrojtëse.
“Një nga dy personat me kapuç i foli Roushdane në vesh. Kur ata u larguan, Roushdane më tha se duhet t’i paguaja, përndryshe të gjithë ishim në rrezik”, thotë francezi.