“Po nxjerrte ujë nga një gropë”/ Flasin për Periskopin të afërmit e 22-vjeçarit që ia mori jetën rryma
Një ngjarje e dhimbshme ka ndodhur mëngjesin e së dielës ku një 22 vjeçar është goditur nga energjia elektrike dhe si pasojë edhe ka ndërruar jetë, shkruan Periskopi.
Të afërmit e vitkimës kanë dhënë detaje për Periskopin rreth momentit tragjik që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë.
Në kushte anonimiteti, të afërmit e viktimës E.K, rrëfejnë se tragjedia ka ndodhur derisa 22-vjecari përmes një pajisje e cila përdoret me rrymë ishte duke larguar ujë që ishte grumbulluar në një gropë si pasojë e reshjeve të shiut.
Ndryshe, Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se viktima në ndërkohë ishte dërguar nga familjarët në Emergjencën e ShSKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor, ku edhe është konfirmuar vdekja e tij.
‘’Sot rreth orës 10:00, policia në Vushtrri është njoftuar se në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë një person i moshës 22 vjeç, ishte goditur nga rryma elektrike në shtëpinë e tij. Njësitë policore menjëherë kanë shkuar në atë lokacion mirëpo viktima në ndërkohë ishte dërguar nga familjarët në Emergjencën e ShSKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor. Rreth orës 11:23, policia ishte njoftuar nga Emergjenca se viktima kishte humbur jetën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore dhe eksperti i rrymës. Janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore dhe është kontaktuar prokurori kujdestar’’, thuhet në njoftimin e PK-së.
Rasti është iniciuar: Vdekje e dyshuar ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.