A po lind partia e depolitizuar?

A po lind partia e depolitizuar?

Sot dëgjojmë gjithandej në hapësirën shqiptare për “hapjen e shkollës politike” të kësaj apo asaj partie, për rëndësinë e “financave partiake”, për konsultimin me “ekspertët e partisë”, për “organizime spektaklesh” për militantët, për “adhurimin” e liderëve historikë dhe aktualë nga anëtarët, e sidomos nga të rinjtë e partisë. A nuk tregojnë këto fenomene semantike dhe strukturore se një parti e re po lind?

Partia është organizatë politike. Si e tillë, para se të jetë entitet politik, ajo e ka të domosdoshme të ekzistojë si organizatë. Prandaj partia shfaq tiparet që i karakterizojnë të gjitha organizatat, ku spikat fakti që nuk ka domosdo një kod superior për organizimin e të gjithë veprimtarisë së organizatës. Për shembull, ne sot po vëmë re te partitë shqiptare një shumësi kodesh komunikimi, asnjëri prej të cilëve nuk duket të dominojë vazhdimisht mbi të tjerët. Siç tregojnë formulat semantike të përmendura më lart, partitë shqiptare herë përdorin kodin pedagogjik, herë atë ekonomik, atë shkencor, artistik, e herë kodin fetar. Kodi politik i komunikimit, i cili duhet ta dallonte partinë nga organizatat e tjera jo politike – si spitalet, universitetet, bankat – jo vetëm nuk ka prioritet, por përdoret edhe më pak se kodet e tjera. Partia, në këtë mënyrë, po depolitizohet. Njëkohësisht me këtë zhvillim po shohim pedagogjizimin, ekonomizimin, shkencëzimin, estetizimin dhe fetarizimin e partisë.

Problemi është se partia e re që po lind nuk arrin ta justifikojë ekzistencën e saj përballë shoqërisë. Kjo pasi në terma cilësorë, partia e depolitizuar nuk mund të konkurrojë me organizatat e tjera të specializuara prej kohësh në fushat e tyre, si: pedagogjia, ekonomia, shkenca etj. Shkolla politike e partisë nuk mund të bëhet zëvendësuese e universitetit, tryezat e ekspertëve të partisë nuk mund të konkurrojnë me konferencat shkencore, dhe ritualet e adhurimit për figurat e larta të partisë nuk mund të krahasohen me madhështinë e ritualeve të kishave dhe xhamive.

Përveç kësaj, partia supozohet të ekzistojë në shoqëri për të kryer, para së gjithash, një funksion politik. E kjo do të thotë, për të mundësuar marrjen e vendimeve të detyrueshme kolektivisht. Për të realizuar këtë funksion partia formulon ideologji, programe elektorale, fushata komunikimi të fokusuara te mesazhe qendrore, përzgjedh persona përfaqësues për këto ide e pozicione e kështu me radhë. Braktisja e këtij funksioni është tipar dallues i partisë së re që po lind.

Partia e depolitizuar vazhdon ta synojë marrjen e pushtetit qeverisës, por jo përmes diferencave politike me partitë e tjera; diferencat që bëjnë diferencën priren të jenë ekonomike (sasia e parave të hedhura në fushatë), pedagogjike (numri i ushtarëve të bindur në dispozicion të partisë), shkencore (hapësira për abuzim që kanë arritur të zbulojnë ekspertët e partisë).

Kushtet në të cilat funksionojnë partitë shqiptare, duke renditur ndër to sidomos historinë dhe kulturën politike të shqiptarëve, favorizojnë fenomenin e partisë që është pashmangshmërisht organizatë, veçse jo politike. Ka zëra në opinionin publik shqiptar që i quajnë partitë “banda”, “sh.p.k.”, “kompani” etj. Këto janë metafora dhe prandaj përshkrime të pasakta. Megjithatë, këto metafora e kanë nuhatur se partia në hapësirën shqiptare po boshatiset nga brendia politike, po çlirohet nga strukturimi politik dhe po përzgjedh të përfaqësohet nga figura pa domethënie politike.

Momentalisht është e vështirë të kuptohet nëse partia e së ardhmes do të jetë e depolitizuar apo nëse kjo e tashmja është vetëm një anomali shqiptare që do të ndreqet shpejt. Partia, si organizatë, e mbart brenda vetes potencialin për t’u shfaqur si mbi të gjitha politike, po aq sa edhe për t’u shfaqur e depolitizuar. I mbetet shoqërisë ta pranojë njërën e ta refuzojë tjetrën.

Shpërndaje në: