“Po festojmë”, deputetët e PDK’së mblidhen pas Kuvendit, publikojnë foto

“Po festojmë”, deputetët e PDK’së mblidhen pas Kuvendit, publikojnë foto

Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës janë mbledhur në një lokal në kryeqytet, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi që të zhvillojë seancën për të diskutuar qeverisjen e Kryeministrit Albin Kurti.

Ka qenë deputetja Eliza Hoxha ajo që ka publikuar fotografi nga ky takim, ku shihen deputetët: Abelard Tahiri, Blerta Deliu, Elmi Reçica, Rashit Qalaj, Floreta Zejnullahu dhe Hajdar Beqa.

“Po festojmë…”, ka qenë mbishkrimi që ata i kanë vendosur kësaj fotografie.

Ndryshe, Kuvendi dështoi që të zhvillojë seancën për të diskutuar qeverisjen e Kurtit, në mungesë të deputetëve dhe dakordimit mes partive.

Seanca është shtyrë, por nuk është bërë e ditur data e re.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka thënë se seanca është kërkuar për të zhvilluar “një ballafaqim të vërtetë” mes opozitës dhe kryeministrit.

“Grupi parlamentar i AAK-së, tash e tre muaj e ka dërguar në kryesi një kërkesë për një debat për tre vjetët e Qeverisë. Në diskutim me grupet parlamentare dhe në mungesë të deputetëve për një temë kaq të rëndësishme, një ballafaqim i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit nuk do të duhej të ndodhte pa një dakordim të plotë. Andaj po e shtyjmë këtë debat”, ka thënë ai.

Vetë Kurti ka qenë i pranishëm në seancë.

Po festojmë….@abelardtahiri @blertadeliu.official @elmirecica @rashitqalaj @enverhoxhajrks @beqahajdar @floreta.zejnullahu

Posted by Eliza Hoxha on Friday, May 24, 2024

Shpërndaje në: