Plutokracia populiste dhe e ardhmja e Amerikës
NJU JORK – Donald Trump fitoi si president përmes mbështetjes së klasës punëtore dhe të votuesve të bardhë konservatorë me një platformë populiste të nacionalizmit ekonomik. Trumpi nuk i mori parasysh agjendat tradicionale të republikanëve pro-biznes, dhe pro-tregti, dhe ashtu si Bernie Sanders në të majtën, bëri thirrje që amerikanët të cilët kishin vuajtur nga politikat ‘globaliste’ që promovonin lirinë e tregut dhe migrimin.
Por, ndërsa Trumpi garoi si populist, ai ka qeverisur si plutokrat, më së fundi duke e përqafuar teorinë e diskredituar ‘supply-side’ të taksimit të cilën e mbështesin ende shumica e republikanëve. Trumpi poashtu garoi si dikush që do të “thante moçalin” në Washington, DC, dhe në Wall Street. Dhe prapë ai e ka mbështetur administratën e tij te miliarderët [jo veç milionerët], ndërsa lejonte moçalin e biznezisit të lobistëve që të rritej më shumë se kurrë.
Plani i Trumpit dhe Republikanëve që të shfuqizojnë Obamacare-in e 2010-s, do t’i linte 24 milionë amerikanë – shumica pjesë e klasës së varfër ose të mesme, shumë prej të cilëve votuan për të – pa kujdes shëndetësor. Politikat e tij derregulluese janë haptas kundër punëtorëve dhe unioneve. Dhe planet për reforma të taksave të cilat ai i ka miratuar do të favorizojnë jashtëzakonisht korporatat multinacionale dhe top 1%shin e të pasurve, shumë prej të cilëve do të përfitonin veçanërisht nga shfuqizimi i taksës së pasurisë.
Trumpi poashtu e ka braktisur bazën e tij në zonën e tregtisë, ku ai ka ofruar retorikë por jo veprim konkret. Po, ai e hoqi TPP-në [Trans-Pacific Parnership], por të njëjtën gjë do ta bënte edhe Hillary Clinton. Ai e ka braktisur edhe NAFTA-n [North American Free Trade Act] por kjo mund të jetë vetëm një taktikë negociuese. Ai ka kërcënuar që të imponojë një tarifë 50% të të mirave për Kinën, Meksikën dhe partnerët e tjerë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por këto gjëra nuk janë materializuar. Dhe propozimet për një taksë rregulluese për kufirin thjesht janë harruar.
Tweet-et ngacmuese të Trumpit kundër firmave amerikane që e lëvizin prodhimin ‘offshore’ ose që iu ikin taksave, nuk janë asgjë pos do fjalë që s’çojnë kurrkund, dhe liderët e biznesit e dinë këtë gjë. Manufakturuesit që e mashtruan Trumpin se do të bënin prodhimin në SHBA kanë vazhduar që t’i transferojnë operacionet në mënyrë të heshtur drejt Meksikës, Kinës apo edhe në vende tjera. Për më shumë, provizionet ndërkombëtare në legjislacionin e taksave në pritje do t’iu japin kompanive multinacionale edhe më shumë mundësi për të investuar, e për të prodhuar jashtë vendit, ndërsa përdorin çmimet e transferit dhe skema tjera që t’i mbajnë larg profitet në jurisdiksione me taksa të ulëta.
Gjithashtu, pavarësisht retorikës agresive të Trumpit mbi çështjen e emigracionit, politikat e tij kanë qenë relativisht të moderuara, ndoshta sepse shumica e njerëzve të biznesit që e mbështetën kampanjën e tij në fakt janë në favor të një qëndrimi më të butë. “Ndalesa myslimane” nuk afekton fuqinë punëtore në SHBA. Megjithëse deportimet janë përshpejtuar në këtë kohë, ia vlen të kujtojmë se miliona emigrantë pa dokumente janë deportuar edhe gjatë kohës së Barack Obamas, poashtu. Muri i kufirit të cilin Trumpi thoshte se do ta detyronte Meksikën që ta paguante, mbetet veç ëndërr. E madje edhe planet e administratës që të favorizojë punëtorët e kualifikurar nuk është e thënë të ulin numrin e emigrantëve legalë në vend.
Trumpi ka qeverisur si një plutokrat me tesha populiste – që i bjen ndryshe, si një pluto-populist. Por pse e ka lënë baza e tij që t’i çojë përpara ato politika që do t’i lëndonin ata? Sipas një pikëpamjeje, ai po pret që konservatorët socialë dhe mbështetësit e bardhë kollarë-kaltër në zonat e varfëra do të votojnë në bazën e një sentimenti nacionalist dhe religjioz dhe shkaku i antipatisë për elitat sekulare, më shumë se për interesat e tyre financiare.
Por për sa gjatë munden njerëzit të mbështesin “Zot dhe armë” në dëm të “bukë dhe gjalpë”? Plutopopulistët që e udhëhoqën Perandorinë Romake e dinin se që të mbash turmën populiste kërkohej substancë ashtu si diversion: panem et circenses – “bukë dhe cirk.” Tweet-et që shprehin tërbim janë të pakuptim për njerëzit që zor se e përballojnë një jetë të dinjitetshme, dhe që nuk kanë mundësi të shkojnë në Koliseumin modern për të parë futboll.
Legjislacioni i taksave që Republikanët po provojnë ta shtyejnë në Kongres mund të dalë shumë i rrezikshëm, duke qenë se miliona njerëz të klasës së mesme dhe të atyre me të ardhura të pakta do të marrin shumë pak nga ajo gjë, por që aktualisht do të paguajë më shumë kur shkurtimet në taksat për të ardhurat do të hiqen gradualisht. Për më shumë, plani republikan do të hiqte Obamacare-in. Sipas CBO-së [Congressional Budget Office] kjo do të bënte që 13 milionë njerëz të humbnin sigurimet shëndetësore, dhe premiumet e sigurimeve do të rriteshin me 10%, për gjithë dekadën e ardhshme. Jo befasisht, një sondazh tregoi se vetëm 29% e amerikanëve e mbështesin planin e Republikanëve.
Megjithatë, Trumpi dhe republikanët duken të gatshëm që t’i hyjnë rrezikut. Në fund të fundit, duke e shtyer për më vonë rritjen e taksave për klasën e mesme, ata kanë paraparë që plani i tyre t’i shpëtojë nga humbjet në zgjedhje.
Për më shumë, legjislacioni final është e mundshme të ulë zbritjen federale për interesin e hipotekave dhe të eleminojë zbritshmërinë për shtetin dhe taksat lokale. Kjo do të godasë familjet në shtetet që i mbështesin demokratët, të tilla si Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Kallifornja, më shumë se zonat që i mbështesin republikanët.
Një tjetër pjesë e strategjisë republikane [e njohur si “ngordhe bishën”] do të jetë që të ulë deficitin e lartë nga shkurtimet e taksave që të argumentojë për shkurtimet në të ashtuquajturat shpenzime të drejta, si Medicare, Medicaid, stampat e ushqimeve dhe sigurimet sociale. Sërish, ky është një rrezik i madh, sepse klasa e mesme dhe ajo e varfër mbështetet shumë në këto programe. Po, të varfërit që punojnë dhe që nuk punojnë të cilët marrin pagesa sociale ose stampa për ushqime përfshijnë minoritete që priren të votojnë demokratët. Por miliona të kollarëkaltërve, konservatorëve të bardhë që e votuan Trumpin poashtu mbështeten në këto, dhe programe tjera të ngjashme.
Me ekonominë globale në zgjerim, Trumpi ndoshta shpreson që shkurtimet në taksa dhe çrregullimi do të japë rritje të mjaftueshme sa të krijojë punë të mjaftueshme, për të cilat do të mund të mburrej. Një rritje potenciale prej 2% nuk do të bënte shumë punë për bazën kollarëkaltër, por të paktën do të shtyente tregun e aksioneve në pikën më të lartë ndonjëherë. Dhe, natyrisht, Trumpi do të pretendojë se ekonomia amerikane do të rritet me 4%, megjithëse të gjithë ekonomistët mainstream, përfshirë republikanët, pajtohen që potenciali i rritjes do të mbetet 2%, pavarësisht politikave të tij.
Çfarëdo që të ndodhë, Trumpi do të vazhdojë të bëj ‘tweet’-e si maniak, duke promovuar lajme të rreme, dhe duke u mburrur për “ekonominë më të madhe e më të mirë” ndonjëherë. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai madje mund të krijojë edhe një cirk si perandorët romakë. Por nëse kjo retorikë nuk mjafton, ai mund të zgjedhë që të sulmojë në sferën ndërkombëtare. Kjo do të nënkuptonte largimin nga NAFTA, duke bërë veprime tregtare që do të godistnin Kinën ose partnerëve tjerë tregtarë, ose duke ndërmarrë politika më të ashpra mbi emigracionin.
Dhe nëse këto masa nuk e kënaqin bazën e tij, Trumpi do ta ketë ende një opsion të mbetur, atë që e përdornin perandorët romakë dhe diktatorët gjatë kohëve të vështira. Ai mund të provojë që të “ndërsejë qenin” duke fabrikuar një kërcënim të jashtëm ose duke hyrë në aventura të jashtme me ushtrinë që t’i tërheqë mbështetësit e tij nga ajo që ai dhe republikanët e kongresit ishin duke bërë.
Për shembull, ai mund të fillojë një luftë me Korenë Veriore apo Iranin. Ose mund t’i shpeshtojë tweet-et ngacmuese për dreqësinë e islamit, kështu duke i nxitur edhe më shumë njerëz që t’i bashkohen ISIS-it ose grupeve tjera ekstremiste. Kjo do të rriste mundësinë e sulmeve të frymëzuara nga ISIS-i, për shembull, “ujqërit e vetmuar” që hedhin veten në ajër ose që ngasin automjete drejt turmës. Kur të ndodhë kjo, Trumpi pastaj do të thotë, “A iu kam thënë.” Dhe nëse gjërat shkojnë mjaftueshëm keq, Trumpi dhe gjeneralët e tij mund të deklarojnë gjendje emergjente, të suspendojnë liritë civile, dhe të transformojnë Amerikën në një shtet autoritar pluto-populist.
Është koha vërtetë për t’u brengosur kur edhe konservatori republikan, shefi i komitetit të senatit për marrëdhënie me jashtë, hapur paralajmëron fillimin e Luftës së Tretë Botërore. Dhe nëse nuk jeni i bindur, konsiderojeni historinë më të fundit të Rusisë apo Turqisë; apo historinë e Perandorisë Osmane gjatë sundimit të Kaligulës apo Neronit. Plutopopulistët i kanë kthyer demokracitë në autokraci. Nuk ka asnjë arsye pse kjo gjë të ndalet këtu. Mbretërimi i Perandorit Trump mund të jetë vetëm në fillimi.
Përktheu dhe përshtati: Periskopi