Plazma e gjakut: Të famshmit po e sigurojnë përmes kërkesave publike, nuk dihet gjendja e pacientëve të tjerë
Ditëve të fundit në Kosovë është rritur kërkesa për plazmat e gjakut për pacientët e infektuar me COVID-19.
Shumë qytetarë, përfshirë këtu edhe figura publike në rrjete sociale kanë kërkuar ndihmë nga qytetarët.
Këto figura publike kanë lajmëruar se e kanë siguruar shpejtë gjakun, ndërsa nuk dihet gjendja e pacientëve tjerë.
Derisa kërkesa për plazmat e gjakut është rritur, po shprehet nevoja për fushatë të mobilizimit për dhënien e gjakut nga ata që e kanë kryer këtë virus.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se me rritjen e numrit të infektuarve me COVID-19 është rritur edhe kërkesa për plazma.
Andaj, sipas tij, duke e pasur parasysh vështirësitë e figurave publike për ta siguruar atë, njerëzit tjerë mund ta kenë edhe më të vështirë.
“Ditëve të fundit, me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID, është rritur kërkesa për plazmat e gjakut, të cilat përmbajnë mbi 50 antitrupa. Kemi parë edhe shumë figura publike të kenë nevojë e po ashtu kërkojnë ndihmë për familjarët e tyre. Duke pasur parasysh vështirësitë e tyre, mund ta marrim me mend sesa të vështirë e kanë njerëzit që nuk kanë të njëjtën qasje në rrjetet sociale dhe në mediat tona”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.
Murati ka thënë se është e nevojshme që Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të nisin një fushatë mobilizimi për dhënien e gjakut nga ata që e kanë kryer virusin dhe kanë antritrupa të mjaftueshëm.
“Andaj do të ishte mirë që Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, së bashku me QKUK-në, IKSHP-në dhe me Ministrinë e Shëndetësisë të nisin një fushatë të mobilizimit të dhënies së gjakut të atyre që e kanë kryer COVID’in dhe kanë antitrupa të mjaftueshëm. Besoj solidariteti nuk do të mungojë, ashtu siç edhe po ka përgjigje në këto thirrjet individuale, por duhet një organizim shtetëror në mënyrë që efekti të jetë më i madh dhe të ketë plazma për të gjithë ata që kanë nevojë”, ka shtuar ai.
Megjithatë, nga këto institucione nuk është parë një mobilizim në këtë drejtim.
Kujtojmë që autoritetet shëndetësore kanë miratuar një udhëzues, përmes së cilit lejohet trajtimi me plazmën kovalescente, si terapi mbështetëse për pacientët me koronavirus.
Më 5 shkurt të këtij viti, Klinika Infektive ka filluar trajtimin e pacientëve me COVID-19 me plazmën e gjakut.
Trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.